KE njofton se ndërpret përkohësisht fondet e programit IPARD për Shqipërinë…

Tani lind pyetja:

Po SPAK-u, pse nuk ka vepruar më parë?! Pse duhej pritur ky vendim ekstrem i KE-së, kur, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka zbuluar me kohë skandalet me fondet e AZHBR-së, për z. Krifca është kërkuar ndjekje penale?!

____

Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht fondet për Shqipërinë në kuadër të programit IPARD 2, që përdoret për mbështetjen financiare të projekteve në bujqësi.

Lajmi u konfirmua për mediat nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, që sqaron se kjo masë është marrë në kuadër të një hetimi të nisur nga Brukseli, pas akuzave për korrupsion me fondet për bujqësinë.

“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II.

Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, sqaron zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Delegacioni pohon se hetimi është në vazhdim dhe në përfundim të tij do të shikohet nëse nevojiten masa të mëtejshme.

“Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon.

Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”, sqaron Delegacioni i Bashkimit Europian.

 

Për këtë skandal të vërtetë që ka shpërthyer sot në qeverinë shqiptare, siç është deklaruar edhe nga portali “Pamfleti”, është bërë edhe një padi në SPAK.

Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Sipas informacioneve, OLAF (Zyra Europiane Kundër Mashtrimit) që në vitin 2021 ka pasur dyshime se fondet që vinin nga BE tjetërsoheshin. Madje në mars të vitit 2021, përfaqësues të OLAF zbarkuan në zyrat e AZHBR-së duke konfiskuar dokumentet dhe kompjuterët. Në atë kohë, në krye të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ishte z. Frida Krifca, sot Ministre e Bujqësisë.

Një vit më parë, në kuadër të këtyre hetimeve që ka kryer OLAF, nga vetë ajo, Ambasada e Gjermanisë në Tiranë si edhe EUROJUST, êshtë bërë një padi në SPAK.

Ndërkohë, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka zbuluar skandalet me fondet e AZHBR-së, z. Krifca ka mbajtur të fshehtë zhdukjen e kontratave për investime, rikonstruksione zyrash rajonale të AZHBR me vlerë mbi 200 milionë lekë, si dhe zhdukjen e kontratës 135 milionë lekë, me objekt “Studimi i mizës së ullirit”; për të cilën është kërkuar ndjekje penale.

Me urdhër të saj, Frida Krifca ka përdorur çdo vit, nga 25% të fondit të granteve bujqësore e blegtorale, për reklama të punës së saj e mashtrim ndaj donatorëve të huaj.

Po ashtu ka vendosur të mos shlyhen 20 miliardë lekë kredi, duke i cilësuar “humbje pa kthim”, kur bizneset që i kanë marrë nuk janë me aktivitet bujqësor e blegtoral(!!!).

Tani lind pyetja:

Po SPAK-u, pse nuk ka vepruar më parë?! Pse duhej pritur ky vendim ekstrem i KE-së, kur, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka zbuluar me kohë skandalet me fondet e AZHBR-së, për z. Krifca është kërkuar ndjekje penale?!

____