Ambasada shqiptare në Izrael është rrezikuar nga sulmi me raketa mesditën e sotme.

Në një reagim në Twitter, ambasada shkruan se janë shumë të shqetësuar nga sulmet pa kriter nga Hamasi ndaj Izraelit.

“Sulm me raketa në Ramat Gan, pranë Ambasadës Shqiptare gjithashtu, mes sulmit të madh mbi Izraelin qendror.

Shumë të shqetësuar nga sulmet pa kriter nga Hamasi ndaj Izraelit.

Civilët në të gjitha anët duhet të mbrohen dhe kjo situatë shpërthyese duhet të de-përshkallëzohet”, thuhet në reagimin në rrjetet sociale.

Ambasada shqiptare në Izrael ka ripostuar në Twitter edhe mesazhin e ambasadores së Austrisë në Izrael, e cila kërkon që këto sulme të ndalen menjëherë, pasi raketa rrezikoi edhe ambasadën austriake.

“Kishte vetëm një goditje me raketë në Ramat Gan, afër Ambasadës Austriake. Për fat të mirë të gjithë jemi të sigurt. Kjo duhet të ndalet menjëherë!”, shkruan ambasadorja Hannah Liko.

Si pasojë e konfliktit raportohet se të paktën 126 njerëz janë vrarë, përfshirë 31 fëmijë dhe 20 gra në Gaza, kurse në Izrael shtatë persona kanë vdekur, mes tyre një djalë 6-vjeçar dhe një ushtar.