Nga Grigor JOVANI

Nuk besoj se ka ekzistuar një tjetër event në historinë botërore, nga lashtësia e dokumentuar gjer më sot, që të jetë diskutuar kaq shumë, t’i ketë kushtuar më tepër vëmendje intelegjenca njerëzore në vazhdim, se sa Luftës dhjetëvjeçare midis kualicionit ushtarak të qytet-shteteve helene, kryesuar nga Agamemnoni i Spartës dhe ushtrisë së Qytet-Shtetit Trojë, ngujuar brenda kryeqendrës kryesore, qytetit të fortifikuar të Ilionit, ku hegjemonte mbreti Priam.
Të panumërta janë krijimet e mëvonshme, gjatë mijëvjeçarëve pasues, në të gjitha artet, me më përfaqësueset ato që janë krijuar më afër kohëngjarjeve që trajtojnë, poemave epike “Iliada” dhe “Odiseja”, të bardit antik helen Homer, i paidentifikuar qartësisht (në kundërshti me autorët e tjerë antikë) dhe i rrethuar me një aureolë misteri, si retë që mbështjellin majëmalin Olimp në Greqi, ku në thellësitë e lashtësisë, mitologjia e ardhur prej andej thotë se banohej nga 12 Perënditë, që rregullonin aso kohe fatet e botës.
Misteri që ka të bëjë me autorin, Homerin, nuk kishte si të mos prekte edhe veprat e tij. “Kritika” e mëvonshme letrare dhe historike, e sofistikuar ndër mijëvjeçarët pasues, nuk ka lënë asgjë të pashkoqitur në këto vepra. Kësisoj, njerëzimi është vënë përballë kësaj antiteze sensacionale: përveç të vërtetave të thëna në këto vepra, të vërtetuara më vonë nga gjykimi njerëzor por edhe nga arkeologjia dhe historiografia, ekzistojnë edhe shumë pasaktësira, disa herë gati-gati fëminore, fakt që bie ndesh me logjikën e pagabueshme në fusha të ndryshme gjatë antikitetit helen, sidomos në filozofi dhe arte, gur themeltar ky për shkencat që rrodhën prej tyre dhe u zhvilluan në dobi të njerëzimit.
Kë të besosh më parë, madhështinë e rrëfimit artistik në “Iliadë”, bie fjala, dhe ngjarjet që shpalosen nëpërmjet tij, apo të dhënat disa herë qesharake që renditen në këtë vepër, të hedhura lehtësisht poshtë nga shkenca e tanishme?
Të parat (mrekullitë) dihen, janë stërthënë, vërtetuar dhe pranuar nga njerëzimi, kështu që problemi qëndron tek të dytat: si mund të honepsen pasaktësitë?!
Është dokumentuar se Homeri e shkroi “Iliadën”në shek. e 8-të p. Kr. Domethënë, midis viteve 700 – 799 p. Kr. Krijoi pra një vepër artistike për një ngjarje historike që kishte ndoshur 400 vjet para epokës së tij. “Lufta e Trojës” llogaritet të ketë ndodhur rreth 1.200 vjet p. Kr.
Konkluzioni: Si mund të garantohet vërtetësia e fakteve historikë dhe e gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me këtë ngjarje, kur midis autorit të veprës dhe kohëngjarjes ekziston një kaos i tillë kohor?!

Në radhë të parë, karakteret e veprës nuk mund të jenë personazhe të biografizuar saktësisht, mendohet se thjesht janë trillime artistike të autorit, siç ndodh rëndom në veprat artistike, aq më shumë kur bëhet fjalë për personazhe të një të shkuare të largët. Homeri, mendohet se nuk mund të bënte përjashtim. Ka operuar, si autor gjenial, duke përdorur mekanizma që kritika botërore i ka cilësuar: karaktere “fictionale”.
Megjithatë, është e habitshme që njerëzit vazhdojnë të mendojnë se çdo gjë ka ndodhur konkretisht ashtu siç e rrëfen Homeri, madje edhe kur u referohet “perëndive” dhe ngatërresave të tyre të shpeshta në punët e njerëzve të vdekshëm.
Nga ana tjetër, rrënojat e një qyteti të lashtë, që supozohet prej një pjese të botës arkeologjike të jenë Troja antike e poemave të Homerit, kanë dalë në dritë në rrethinave bregdetare të Turqisë Evropiane. Do të ishte një fitore e madhe për njerëzimin nëse pranohej prej të gjithëve si i mirëqenë ky zbulim megatonësh, por vetë arkeologët dhe instancat që i sponsorizuan u treguan të përmbajtur ngaqë nuk qenë absolutisht të sigurtë: “Lidhja ekzakte midis legjendës dhe realitetit mbetet e pasigurtë dhe nuk ekzistojnë të dhëna të qarta shkencore, as për përkatësinë e rrënojave të gjetuar, por edhe për ekzisterncën e një lufte heleno-trojane në lashtësi.” Pikë. Kështu thotë shkenca. Atëhere, na mbetet i sigurtë vetëm gëzimi që na jep shijimi artistik i kryeveprave letrare, “Iliadës” dhe “Odisesë”…
Por le të mbetemi edhe ca rrënojave të së ashtuquajturës “Trojë”, në brigjet turke.
Nuk janë rrënojat e para që janë supozuar si mbeturinat e qytetit të lashtë. Nga ana tjetër, mund të jenë rrënojat e shumë qyteteve të hershme, që u ndërtuan dhe u shkatërruan disa herë gjatë 5.500 viteve të fundit. Si mundet, atëhere, të vëmë pikën mbi “i” dhe të pretendohet se jemi pikërisht atje ku duam të jemi: tek qyteti i lashtë i Priamit, që thuhet se e shkatërruan helenët antikë?
Arkeologët kanë evidentuar jo një e dy, por 9 shtresa shkatërrimesh tek rrënojat në fjalë. Shkatërrimi i fundit llogaritet nga arkeologët rreth vitit 85 pas Kr., shkaktuar nga një tërmet. Troja e legjendës mezi u shkatërrua një herë, duke u djegur dhe rrafshuar totalisht, siç thotë Homeri dhe grekëve iu deshën dhjetë vjet ta arrinin këtë…
Kryearkeologu që “zbuloi” Trojën në Turqi, Heinrich Schliemann, ishte një biznesmen mbi të gjitha. Kjo është vërtetuar. Shumë arkeologë të njohur dhe qendra shkencore kanë kritikuar metodat e tij, si edhe përfundimet që ka nxjerrë. Është thënë hapur se i interesonin më tepër “thesaret” që zbulonte, vlerësuar këto me vlerë financiare, sesa arkeologjia e saktë, metodat shkencore e të tjera si këto. Xhanëm, thuhet se nuk preokupohej shumë për këto të fundit, saktësinë shkencore domethënë, vetëm e vetëm të bënte punën e tij sipërmarrëse mundohej.
Përshembull, tek rrënojat që zbuloi në Turqi njohu një “shtresë” që i përkiste, sipas tij, Trojës së Homerit, por laboratorët shkencorë vërtetuan se “shtresa” në fjalë i paraprinte Trojës homerike pothuajse 1000 vjet.
Më flagrante është “broçkulla” tjetër: pretendoi se kishte gjetur në rrënoja të ashtuquajturin “Thesar të Priamit”, për të cilin flet edhe Homeri tek “Iliada”, por kushtet e zbulimit dhe vetë “thesari” nuk u pranuan nga bota shkencore si dokumentime serioze, madje u cilësuan “të dyshimta”. Pse? Se thjesht nuk kishte dëshmitarë okularë për këtë zbulim. Sipas Schliemann, një punëtor kishte parë diçka të dyshimtë tek rrënojat, por ai “i kishte zbuar punëtorët e gërmimeve, nga frika se mos e vidhnin… “Thesari”, një sasi e konsiderueshme monedhash ari brenda një qypi, ishte zbuluar prej tij dhe e shoqja e kishte fshehur me shaminë e saj nga sytë e të pa dëshiruarve…”. Hetimet e mëvonshme vërtetuan se e shoqja nuk ndodhej fare ato ditë tek vendgërmimet. Edhe pa këtë të fundit, kjo histori ishte shumë qesharake për t’u pranuar si e vërtetë! Dhe kështu, kjo çështje u harrua dhe u arshivua tek “kalendat greke”. E çuditshmja: nuk u përmend më as nga arkeologu. Mbase e kishte bërë punën që i interesonte, kishte dhënë një farë shgpjegimi për të justifikuar ekzistencën në duart e tij të gjithë atij “thesari” monetar, ndonëse nuk pranohej më prej bashkësisë arkeoëogjike si ai që kishte fshehur mbreti trojan, Priam. Por ç’u bë vetë “Thesari i Priamit”, që Schliemann gënjeu se kishte gjetur në “Trojën” e zbuluar prej tij? Ishte depozutuar në emrin e vet, tek një bangë e Berlinit, para Luftës së Dytë Botërore. Kur rusët hynë në Berlin në fund të kësaj lufte, e bënë pronë të tyren, duke refuzuar se e mbanin të grabitur në Moskë…, për 50 vjet me radhë.
Më vonë u dhanë mendime të ndryshme, se ku u gjet në të vërtetë ky thesar, të cilin shkencëtarët e klasifikuan të periudhave qindravjeçare para Priamit dhe Trojës dhe si ra në duart e Schliemann. Shumica ishin të mendimet se janë gjetje të zbulimeve të rrënojave të ndryshme dhe thjesht arkeologu gënjeu kur tha se i kishte gjetur në një vend.
Rezymeja: mund të themi se asgjë nuk është gjetur që të vërtetojë se rrënojat në Turqi janë nga Troja e vërtetë. Mendimi që mbizotëron është se Troja (Ilioni i lashtë) ishte një mit i lashtësisë, që përshkroi mijëvjeçarë si legjendë gojore, para se të binte në veshët e Homerit dhe ai ta shndërronte në kryevepër artistike, me “Iliadën”. Ashtu siç ndodhi me legjendat popullore rreth “Mbretit Artur” dhe “Kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët”. Ajo që po ndodh me Trojën këtu e kaq kohë, do të ndodhë edhe me qytetin enigmatik Kamelot të këtyre historive. Dikush do të zbuloë ca rrënoja dhe historia do të fillojë…, me magjistarë, dragonj dhe kështjella buzë lumenjve…
_____