Gjatë fjalës së tij në Parlament, kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me projektin e urës mbi Bunë që do të lidhë Velipojën me Ulqinin. Kryeministri Rama ka deklaruar se puna për këtë urë do të fillojë në muajin Shkurt të vitit të ardhshëm.

Edi Rama: Projekti i Urës së Bunës është realisht një projekt shumë i rëndësishëm dhe për atë zonë të përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, mjafton 1 km urë për të evituar një kapje veshit mbrapsht prej 70 km. Në Shkurt të vitit të ardhshëm, së bashku me kryeministrin e Malit të Zi të jem atje për të filluar puna për ndërtimin e urës. Punët publike kërkojnë kohën e tyre, po ndeshen me një situatë jo të lehtë për shkak të rritjes së çmimeve. Shkurtin e ardhshëm fillon puna atje.

Projekti paraprak për këtë urë u prezantua në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër përpara kryeministrave të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Për kryeministrin Rama një projekt i tillë është përkthim i asaj që bën Ballkani i Hapur duke ndërtuar ura mes vendeve të rajonit.

Gjithashtu, Rama është shprehur se në datën 2 Korrik do të hapet përfundimisht aksi Kardhiq-Delvinë, teksa ka shtuar se në 9 Korrik do të hapet dhe By Passi i Vlorës.

Edi Rama: Në 2 Korrik hapet përfundimisht aksi Kardhiq-Delvinë, në 9 Korrik hapet dhe By-Passi i Vlorës. Ne do të bëjmë Muriqan-Milotin, Thumanë-Kasharin e kështu me radhë. Në datën 2 Korrik, hapet përfundimisht rruga Kardhiq-Delvinë për të cilën nuk e di sa tribuna me rrugë keni ngritur dhe sa herë e keni inauguruar dhe jo vetëm që nuk e bëtë, por e latë atje gropë.