Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh e shqetësuar për ritmin e ngadaltë të diskutimeve për të siguruar vaksinën kundër COVID-19 për vendet më të varfra të botës.

“Do të flasim me Aleancën e Vaksinave (GAVI) lidhur me kohën kur do të nisin negociatat, dhe jam e shqetësuar pasi asgjë nuk është bërë deri më tani. Gjermania rrallë qëndron pa bërë asgjë, por Gjermania nuk mund t’i mbajë e vetme në këmbë, aleancat ndërkombëtare. Nuk mjafton të kemi para në banka. Duhet bërë diçka për vendet në zhvillim”, deklaroi Merkel në mbyllje të samitit virtual të G20-s.

Ajo nënvizoi se Bashkimi Europian, SHBA-ja dhe vendet e tjera të pasura kishin arritur tashmë marrëveshje me laboratorët farmaceutikë për të garantuar furnizimin e tyre me vaksina.

Drejtuesit e G20-s u angazhuan për të mos ndërprerë përpjekjet për të furnizuar me vaksinë vendet më të varfra.

Por, vazhdojnë të mungojnë 3,8 miliardë euro në buxhetin e Aleancës së Vaksinave, koalicion ndërkombëtar, i destinuar për të garantuar një shpërndarje të drejtë të vaksinave dhe pajisjeve mjekësore.

Gjermania është angazhuar të japë 500 milionë euro për programin botëror të vaksinimit, i quajtur Covax, që bashkëdrejtohet nga Gavi, pjesë e këtij mekanizmi ndërkombëtar është edhe Shqipëria.

“Më e rëndësishme për mua është që Covax të fillojë negociatat me prodhuesit e vaksinave duke përdorur paratë që ka mbledhur tashmë”, theksoi Merkel.

Vendet e pasura kanë blerë që tani sasi të mëdha të dozave të vaksinës nga firmat farmaceutike. Presidenti francez Emanuel Macron u kërkoi liderëve të G20-tës të veprojnë shpejt, në mbështetje të vendeve të varfra duke dhuruar doza vaksine e duke ndarë të dhënat shkencore.

Por presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se më shumë fonde ishin të nevojshme për të mbushur boshllëkun prej 4.5 miliardë dollarësh në të ashtuquajturin akselerator ACT, mekanizmi që synon të sigurojë qasje për të gjithë ndaj testimeve, trajtimeve e vaksinave kundër COVID-19.