Kryetarja e Kuvendit dhe njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani është prekur nga Covid-19. Lajmi është bërë publik nga vetë znj. Osmani përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”.

“Të nderuar qytetarë! Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv”, thekson Vjosa Osmani.

Ajo thekson se do të vijojë të punojë nga shtëpia për të dyja postet duke garantuar se nuk do të ketë vonesa në asnjë punë, të cilën e ka obligim ligjor ta kryejë brenda afateve kohore.

Presidentja në detyrë fton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal si dhe të respektojnë masat e diktuara nga strukturat përgjegjëse kundër Covid-19.

“Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike. Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar. Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve”, shkruan ajo.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani mori detyrën e ushtrueses së presidentes së Kosovës pas dorëheqjen së Hashim Thaçit. Ky i fundit hoqi dorë nga posti i presidentit pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Ish-kreu i vendit tashmë ka filluar betejën me Gjykatën e Hagës për të provuar pafajësinë në lidhje me akuzat e ngritura për krime lufte.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë humbur jetën 16 qytetarë, ndërsa janë regjistruar 690 të tjerë infektuar.