Prokuroria ka kërkuar sot dënimin me 25 vite burg për ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhinë.

Kujtojmë se avokati i Haxhisë ka kërkuar rihapje të shqyrtimit gjyqësor pas 22 viteve.

Sipas televizionit “News 24” seanca ndaj Haxhisë ka nisur me tone të acaruara, pasi avokati i tij ka thënë se ka edhe prova të tjera, të cilat duhen shqyrtuar, por kërkesa është rrëzuar nga gjykata.

Kjo e ka nervozuar Izet Haxhinë, i cili ka braktisur sallën e gjyqit.

Izet Haxhia akuzohet lidhur me vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari më 12 shtator 1998. Ai ishte gjykuar dhe dënuar në mungesë me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Hajdarit. Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006 dhe u ekstradua në Shqipëri më 8 maj të 2018 ku kërkoi rigjykim të çështjes.