Partia Komuniste Kineze ka miratuar një “rezolutë historike”, duke çimentuar statusin e Xi Jinping në historinë politike.

Dokumenti, një përmbledhje e historisë 100-vjeçare të partisë, trajton arritjet kryesore dhe drejtimet e saj në të ardhmen.

Është vetëm i treti i këtij lloji që nga themelimi i partisë – i pari u miratua nga Mao Ce Duni në 1945 dhe i dyti nga Deng Xiaoping në 1981.

Ai u miratua të enjten në seancën e gjashtë plenare, një nga takimet më të rëndësishme politike të Kinës.

Si lideri i tretë kinez që ka nxjerrë një rezolutë të tillë, masa synon të vendosë zotin Xi si të barabartë me themeluesin e partisë Mao dhe pasardhësin e tij Deng.

Disa vëzhgues e shohin rezolutën si përpjekjen e fundit të zotit Xi për të kthyer mbrapa decentralizimin e dekadave nga liderët kinezë që filloi nën Deng dhe vazhdoi përmes liderëve të tjerë si Jiang Zemin – një shenjë se Kina mund të kthehet në një të ashtuquajtur kult të personalitetit.

Sesioni katër-ditor me dyer të mbyllura mblodhi më shumë se 370 anëtarë të plotë dhe zëvendësues të Komitetit Qendror të 19-të të partisë – udhëheqjes më të lartë të vendit.

Ishte takimi i fundit i madh i liderëve të partive përpara kongresit kombëtar vitin e ardhshëm, ku Xi pritet të kërkojë një mandat të tretë historik si president.

Në vitin 2018, Kina hoqi kufirin me dy mandate të presidencës, duke e lejuar atë në mënyrë efektive të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.