Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka deklaruar mbrëmjen e sotme se dizenjimi “non grata” nga Departamenti i Shtetit nuk mund të hiqet.

Ajo u shpreh se janë më shumë se 200 persona të dizenjuar nga SHBA “non grata”, por askush prej tyre nuk ia ka dalë që ta heqë. Sipas saj, edhe Shqipëria nuk përbën përjashtim, pasi provat janë para të gjithëve.

“Kjo ka të bëjë me korrupsionin dhe procesi për dizenjimin e dikujt për përfshirjen në korrupsion domethënës merr vite. Nuk bëhet nga individë, nuk është diçka që mund të zhbëhet. Ideja se ky është diçka që bëhet për hakmarrje, mund të them se është fantazi. Më shumë se 200 persona janë dizenjuar nga DASH “non grata”. Janë qindra persona që ekzaminojnë çdo provë dhe ndërtojnë një paketë. Pra, kur arrin në zyrën e Sekretarit të Shtetit, cilitdo Sekretar Shteti, ai ka sigurinë që informacioni është tërësisht i besueshëm.

Nga 200 persona që janë shpallur “non grata”, e dini sesa ia kanë dalë të zmbrapsin nga ajo që iu është bërë? Zero. Shqipëria nuk përbën përjashtime, provat janë para syve tuaj. Nëse e përdor autoritetin e postit për të vjedhur nga vendi yt dhe pastaj përdor forcën politike për të mos lejuar ndjekjen penale, kjo nuk është e pranueshme”, tha Yuri Kim në Euronews Albania.

Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga DASH, ka paditur në Gjykatën e Parisit Sekretarin amerikan Blinken, por kjo deklaratë e ambasadores tregon që atij nuk do t’i hiqet dizenjimi “non grata” asnjëherë.