Që prej 26 qershorit, fatmirësisht asnjë person nuk ka humbur jetën në Shqipëri nga COVID-19, ndërsa në 24 orët janë regjistruar 16 raste të reja.

Rastet e reja- Në 24 orët e fundit janë kryer 2760 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid19, 16 qytetarë, në këto bashki: 4 raste në Elbasan, 3 në Tiranë, nga 2 raste në Lezhë, Kavajë, nga 1 rast në Durrës, Korçë, Kukës, Has, Lushnje.

Rastet aktive– Aktualisht janë 283 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 11 pacientë.

Janë shëruar 13 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,152 që nga fillimi i epidemisë.

Apeli- Nisur nga konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, MSHMS apelon qytetarët të vaksinohen sa më parë, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Vaksinat reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjiena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.