Mbushja e kutive me vota të paqena nga ana e komisionerëve të korruptuar zgjedhor ka qenë një nga shqetësimet kryesore të zgjedhjeve shqiptare që kur vendi filloi të ketë zgjedhje me disa parti ndërsa votimi nga ana e komisionerëve në emër të votuesve që kishin emigruar prej kohësh nga vendi është bërë shqetësim tipik i tre zgjedhjeve të fundit parlamentare, atyre të vitit 2009, të vitit 2013 dhe 2017. Shmangia e këtij problemi është kërkuar në vijimësi te një proces që njihet si identifikimi elektronik i zgjedhjeve, një pajisje që duhet të lexojë mikroçipin e kartës së identitetit apo të pasaportës biometrike, duke shmangur rrezikun e votimit të komisionerëve në emër të emigrantëve. Por kjo duket se nuk do të vijë pa kosto.

Një thirrje që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri 22 kompanive të njohura për ofrimin e këtij shërbimi me synimin e vlerësimit paraprak të tregut për një tender që duhet të sigurojë pajisjet dhe sistemin e identifikimit elektronik rezultoi me gjashtë oferta paraprake, të cilat variojnë nga 12.8 milionë euro sipas vlerësimit të kompanisë DERMAOLOG IDENTIFICATION SYSTEM GmbH, në 28 milionë dollarë të kompanisë CGTS.

Kjo nuk është kostoja e vetme që taksapaguesit ka gjasa do të detyrohen të paguajnë për të shmangur vjedhjen e rezultatit zgjedhor. Në të njëjtën kohë, KQZ ka dërguar kërkesë për vlerësim tregu për pajisjet e nevojshme për votim elektronik dhe numërim elektronik të votave, përgjigjet e së cilës nuk janë marrë ende.

Ndonëse një shqetësim konstant i palëve humbëse në zgjedhje, votimi në mungesë i personave që efektivisht nuk paraqiten në qendrat e votimit është hetuar dhe dënuar rrallë nga prokuroritë dhe gjykatat.

Në korrik të këtij viti, Prokuroria Speciale urdhëroi disa arrestime në zonën e Shijakut mes komisionerëve të akuzuar se kanë mbushur kutitë duke firmosur në emër të personave që efektivisht nuk kanë qenë në Shqipëri në ditën e zgjedhjeve të vitit 2017. Përveç faktit që prokurorisë iu deshën tre vjet për të hetuar çështjen, pas urdhërarresteve, u mësua se dy nga të dyshuarit ishin ndarë nga jeta mbi një vit më parë, gjë që solli disa pikëpyetje seriozitetin e hetimit të SPAK.

Hetimi ishte pjesë e dosjes famëkeqe 339, e nisur fillimisht si hetim për trafik droge por që zbuloi lidhje të shumëfishta mes krimit të organizuar dhe zyrtarëve të ndryshëm socialistë, drejtorëve e kryebashkiakëve. Por deri më sot nga kjo dosje SPAK ka arritur të vërtetojë dhe të çojë për gjykim vetëm tre raste kur në tre zona zgjedhore në Shijak duket se kanë votuar një numër shqiptarësh që nuk kanë qenë të pranishëm në Shqipëri ditën e votimit.