Emisioni Top Story në Top Channel nxori në pah sesi bashkitë që drejtohen nga socialistët kanë abuzuar me plehrat e qytetit, duke rritur artificialisht sasinë për të tenderuar më tepër para.

Në Bashkinë Belsh, pjesë e qarkut të Elbasanit, në vitin 2016 kjo bëhet një tender për pastrimin e qytetit për 4 vite, me vlerë 82 milionë lekë të vjetra. Vijmë në vitin 2020, kur duhet të tenderohet sërish pastrimi i Belshit. Kësaj here tenderi bëhet 410 milionë lekë dhe është pothuajse 5-fishi i tenderit të mëparshëm. Për të justifikuar këtë fryrje të plehrave, zyrtarët e Bashkisë së Belshit kanë bërë një studim sikur qyteti i tyre gjeneron mbi 2700 ton plehra në vit.

Sot Belshi i depoziton mbetjet në impiantin e Elbasanit, ku çdo mbetjet matet përpara se të shkojë në djegie. Top Story i dërgoi një kërkesë zyrtare impiantit të Elbasanit, i cili na vuri në dijeni se Bashkia e Belshit depoziton aty rreth 150 ton plehra në muaj, ose rreth 1800 ton plehra në vit. Pra, Bashkia e Belshit ka rritur artificialisht shifrën prej 900 ton plehrash në vit, për të 5-fishuar shumën e tenderit. Natyrisht ky është një dëm financiar, por më tepër se kaq, është një marrëdhënie interesash mes bashkisë dhe kompanive private, të ngritura mbi plehrat e qytetit. Tani të shohim një tjetër bashki, atë të Peqinit. Në dokumentet që ka siguruar Top Story nga prokurimet publike, në vitin 2016, për pastrimin e qytetit është bërë një tender prej 640 milionë lekësh për shërbim 3-vjeçar.

Ndërkohë pas mbarimit të kësaj kontrate, në janar të vitit 2020 bëhet sërish i njëjti tender, dhe vlera e shpenzuar kësaj here është 1 miliardë lekë për shërbim 3-vjeçar. Pra, rreth 400 milionë lekë më tepër. Ky shtim fondi nuk ka asnjë shpjegim, sepse në të dhënat e siguruara nga Top Story, në bashkinë e Peqinit nuk ka prurje më të madhe popullsie, madje nga viti 2016 e deri më sot, një pjesë e mirë e banorëve kanë zbritur në Elbasan. Bashkia e Peqinit nuk i sjell mbetjet në impiantin e Elbasanit, sepse nëse plehrat maten në peshore, atëherë zbulohet edhe abuzimi financiar mes zyrtarëve dhe kompanive private.

Vijojmë me një tjetër bashki, atë të Librazhdit. Në vitin 2016, kjo bashki realizon një tender për pastrimin, me vlerë 480 milionë lekë të vjetra, për 4 vite. Fitues është kompania e Arbër Abazit nipit të Sadri Abazit, Alko Impeks. Pasi mbaron kjo kontratë, në korrik të vitit 2020, Bashkia e Librazhdit shpall sërish fitues kompaninë e Arbër Abazit, nipit të deputetit Sadri Abazi për pastrimin e qytetit, por kësaj herë me një vlerë pothuajse 3 herë më të lartë, rreth 1.2 miliardë lekë.

Kjo do të thotë se 130 ton mbetje nuk ekzistojnë në këtë bashki, por e ka rritur artificialisht sasinë e plehrave për të shtuar buxhetin prej 1.2 miliard eurosh për kompaninë e deputetit socialist. Ndërkohë ka edhe bashki si ajo e Gramshit e cila ka vendosur të zhvillojë tender për mbetjet urbane, duke u bazuar tek sasia që dërgohet në impiantin e Elbasanit. Këto shembuj japin shpjegimin e mafia e plehrave nuk ka interes të kontrollohet në asnjë cep të Shqipërisë. Tre impiantet, ai i Elbasanit, i Fierit dhe i Sharrës bëjnë matjen faktike të plehrave, dhe kjo sjell një kontroll zinxhir deri tek tenderimi i bashkive.