Kryeministri Rama ka pohuar ditën e sotme se vendi nuk do mbyllet edhe në rast të një vale të dytë të Covid-19.

Ai e bëri deklaratën gjatë një takimi me personelin mjekësor në spitalin Infektiv, që është kthyer në një spital për të sëmurët me koronavirusin e ri.

Kreu i qeverisë e falënderoi personelin mjekësor ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të bënin pjesën e tyre në luftën kundër pandemisë.

“Erdha t’ju përshëndes dhe të falënderoj ju dhe ata që nuk janë këtu. Me shumë respekt dhe keqardhje për këtë stres të jashtëzakonshëm. Patjetër që keni dhënë një kontribut në aspektin moral për gjithë bluzat e bardha. Keni treguar shumë për ata që veç dinë flasin dhe kanë fjalën e keqe në majë të gjuhës. Trupa jonë e mjekëve meriton vetëm respekt, dhe jo baltë e akuza, sharje nga ato që keni dëgjuar gjithë këto vite. Kemi një sfidë të madhe publike. Siç e kanë thënë të gjithë specialistët e shëndetit. Siç e thonë të tërë sot, kjo betejë nuk zhvillohet vetëm në spital. Çdokush do të bëjë rolin e vet. Ndërkohë që virusi ju e keni thënë, nuk ka ardhur për të ikur as për 3 javë, as për 4 javë as për 4 muaj për një periudhë që askush nuk e di sa do të zgjasë. Nuk ja bëjmë dot ndryshe. Nuk zgjedhim dot mbylljen dhe izolimin si opsion të vazhdueshëm, sjell dëme dhe shkatërrime të tjera. Jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe social”, tha Rama.

“Kemi rezervuar vaksinat kundër Covid-19″

Kreu i qeverisë tha më tej se qeveria ka bërë rezervimin për vaksinën kurdo që ajo të dalë duke i quajtur fantazi të çmendura debatet në rrjetet sociale lidhur me të.

Rama theksoi gjatë vizitës në spitalin Infektiv se qeveria ka marrë masa për shtimin e vaksinave të gripit gjatë sezonit për kategoritë më në nevojë pasi kjo sipas tij do jetë një ndihmë më shumë kundër pandemisë.

“Ajo që vlen të thuhet është që nuk e kemi zgjedhur, na ka zgjedhur. E di shumë mirë se jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministren, se çfarë është bërë kur vjen gripi i stinës. Kemi marrë masat për të rritur kapacitetet vaksinuese, që të lehtësojmë gripin e stinës. Kemi vendosur një financim të konsiderueshëm. Kemi bërë rezervim për vaksinën kur do të dalë. Pa llogaritur kompetentët e Facebook, që flasin për çipa, që do ju përgjojnë, ku do shkojnë, çfarë do bëjnë, që janë fantazi e çmendur.” – tha ndër të tjera kryeministri.

Më tej kryeministri tha se qeveria do rrisë pagat e personelit mjekësor duke nisur nga viti 2021 duke shtuar se mjekët e infermierët që përballen në vijën e parë me pandeminë Covid-19 do e përfitojnë rritjen që e quajti të konsiderueshme duke shtuar se qeveria ka ndërmarrë masa për të frenuar largimin e mjekëve nga vendi.

“Duam të realizojmë një rritje të konsiderueshme pagash, jo 5 apo 7%. Do bëjmë një rritje pagash të konsiderueshme, ende po kalkulojmë për shumën. Përtej bonusit 1 mijë euro, që ju si në vijën e parë do t’i merrni deri në fund, do të jeni në një nivel në mesataren e lartë të rajonit. Këtë duam ta bëjmë fakt në fillim të vitit të ardhshëm. Me të filluar viti të gjithë ju të keni një rritje në pagë. Është një objektiv i detyruar. Ne kemi ndërmarrë masa të caktuara, që të mos i lëmë mjekët të largohen.” – shtoi Rama.