Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka deklaruar se shumë shpejt Greqia do të ketë mundësinë për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në detin Jon dhe se për këtë do të ketë njoftime zyrtare të qeverisë.

Deklarata e tij u bë në Komisionin Parlamentar mbrëmjen e së hënës gjatë diskutimit të marrëveshjeve që arriti Athina me Italinë dhe Egjiptin për Zonat ekskluzive Ekonomike mes tyre.

Dendias ka kërkuar nga të gjithë një pozicionim të vetëm kombëtar duke bërë thirrje për të parë se çfarë deklaratash bëhen për marrëveshjet në fjalë në Turqinë fqinje. Sa u përket marrëveshjeve me Romën dhe Kajron kreu i diplomacisë greke i ka cilësuar ato të dobishme dhe të drejta.

Marrëveshja me Egjiptin dhe Italinë

I pyetur se cila ishte metodologjia e përdorur për të përcaktuar marrëveshjen e pjesshme me Egjiptin ai u përgjigj se marrëveshja nuk ndjek një metodologji specifike, por është një marrëveshje e përbashkët demarkacioni e bërë nga dy shtete sovrane. “Përveç kësaj, ka shtuar ai, hapësira detare është 45% për Greqinë dhe 55% për Egjiptin, një përqindje që është afër asaj që u pasua në marrëveshje me Italinë, e cila është 46% për Greqinë dhe 54% për Italinë”.

Referuar marrëveshjes me Italinë, Ministri i Jashtëm grek ka deklaruar se ajo është përfunduar në bazë të UNCLOS (ligjit ndërkombëtar te demarkacionit te zonave detare pas dakordësimit mes dy palëve si dhe ne baze te vijës se mesme të marrëveshjes së vitit 1977 për delimitimin e shelfit kontinental midis Greqisë dhe Italisë, si vije kufitare për ZEE mes dy vendeve.

Ndërsa në lidhje me marrëveshjen me Egjiptin, ai tha se Kajro ishte nën presion nga Turqia për t’u nënshkruar një marrëveshje se bashku ku do te merrte 30% me tepër ZEE shtesë. Pas 14 raundeve që zgjatën 15 vjet me Greqisë dhe Egjiptit, kohë gjatë së cilës u nënshkrua pakti turko-libian te cilin Athina nuk e njeh, të dy palët, ka thënë Dendias, më në fund gjetën një zgjidhje qe është pranë qëllimeve të secilit shtet.

Bisedimet me Shqipërinë

Kryediplomati grek nuk ka dhënë më shumë detaje se në çfarë faze janë bisedimet me Shqipërinë dhe as metodologjia që do të përdoret.

Por, gjasat janë që pala greke dhe ajo shqiptare të firmosin paktin e arritur mes dy ish-ministrave të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias. Pak muaj para se të largoheshin nga kjo detyrë në vjeshtë-dimrin e 2018-ës, (i pari i shkarkuar dhe i dyti i dorëhequr) dy diplomatët patën deklaruar se kishin arritur marrëveshjen.

Kotzias deklaronte se Greqia do të zgjerohej me 12 milje në Detin Jon, ndërsa Ditmir Bushati sqaronte se kufiri detar ndahej sipas parimit të baraslargësisë. Por, ekspertët paralajmëronin se me këtë parim do të përfitonte Greqia nëse merreshin si pikë nisje e përcaktimit të kufirit ishujt e pabanueshëm të Diapontit në veri-perëndim të Korfuzit.

Mediat greke shkruanin në 2018 se Athina këmbëngulte që baraslargësia nga ana e saj në këtë pjesë të llogaritej prej këtyre ishujve të vegjël dhe jo nga Korfuzi. Nëse do të ndodhë e kundërta, Athina i trembet krijimit të një precedenti që mund të përdoret nga Turqia në rastin e ishullit të Kastelorizos.

Në të shkuarën, deklaratat e palës greke për zgjerimin e sovranitetit detar në Detin Jon dhe Detin Egje me 12 milje nuk janë pritur mirë në Ankara. Kjo e fundit ka paralajmëruar se një akt i tillë do të bëhej precedent për luftë.

Në vjeshtë të 2018, kur ministri i Jashtëm turk, Mevult Caushoglu vizitonte Tiranën, temë e diskutimit me Ditmir Bushatin, sipas mediave në Ankara, ka qenë edhe marrëveshja e kufirit me Greqinë. Nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet më vonë mund të hamendësohet se Turqia nuk ka qenë dakord me këtë marrëveshje, që në këndvështrimin e saj i jep Greqisë një precedent të fortë për ta përdorur në ndarjen e kufijve detarë me Turqinë në Mesdheun Lindor.