Katër persona kanë mbetur të vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur pas një sherri që ka ndodhur gjatë natës në Velipojë. Policia e këtij qyteti sqaron se gjithçka ka nisur rreth orës 00:30 në Velipojë në zonën e njohur si Pulaj.

Një konflikt i çastit ka degraduar deri në përdorimin e armëve të zjarrit dhe për pasojë katër persona kanë mbetur të vdekur. Viktimat e këtij sherri janë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç.

Ndërkohë të plagosur kanë mbetur H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirë në konfliktin e armatosur.

Në vend ngjarje kanë shkuar forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, por dhe një grup special i RENEA. Po ashtu bëhet me dije se dhe drejtuesit më të lartë të policisë kanë shkuar në vendin ku ndodhur ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Shkodrës.

Hetuesit po punojnë për zbardhjen e ngjarjes, por deri tani mësohet se gjithçka ka ndodhur pas sherrit për shezlongët, pasi personat e përfshirë kanë hotelet shumë pranë njëri-tjetrin në zonën e plazhit në Velipojë.

Krimi i rëndë në Shkodër, drejtori i policisë: Sherri për çadrat dhe shezlongët, janë përdorur disa armë gjatë konfliktit

Drejtori i Policisë Shkodër, Niko Brahimaj, ka dhënë një deklaratë për mediat pas krimit të rëndë që tronditi qytetin verior gjatë natës.

Brahimaj për mediat u shpreh se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pasi viktimat dhe të plagosur janë pronar hotelesh dhe u konflikuan për zonën që do të shfrytëzonin në plazhin e Velipojës, për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve.

“Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj, ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shezlongeve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona.

Policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup ekspertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë. Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë, nga personat e konfliktuar. Një armë pistoletë e kemi sekuestruar si provë materiale. Janë sekuestruar një numër pamjesh nga kamerat e sigurisë”, u shpreh Brahimaj.