Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponja-t ndërmorën mbrëmjen e së martës një operacion në qytetin e Elbasanit. Këtë të mërkurë, policia dha informacion zyrtar se për çfarë ishte kryer ky operacion dhe rezultatet e tij.

Kështu, ndërhyrja erdhi pas 5 muajsh hetime dhe kishte në fokus shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me shpërndarjen e drogave të forta, kryesisht kokainë.

Në pranga përfunduan tre persona. Ata janë Gëzim Mama, 34 vjeç, Hekuran Halili, 44 vjeç dhe Simon Stefa, 54 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e Stefës u gjetën dhe sekuestruan 2 pistoleta, një sasi fishkësh dhe një sasi kokaine e ndarë në doza.

Nga hetimet e kryera, policia thotë se është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre personave, të cilët merreshin me shpërndarjen e kokainës në qytetin e Elbasanit.