Kreu i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Şentop, ndodhet në Shqipëri për një vizitë dy ditore. Şentop u prit nga homologu i tij, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku patën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Zyrtari i lartë turk u ndal dhe foli për organizatën Feto, sipas të cilit është prezente edhe në Shqipëri. Ai u shpreh se “Turqia nuk do të lejojë kurrën e kurrës që kjo organizatë terroriste të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”.

“Gjatë takimit që patëm me z.kryetar unë fola dhe për aktivitetin e organizatës terroriste Feto. Ashtu si në vende të ndryshme të Ballkanit, kjo organizatë terroriste është prezente edhe në Shqipëri. Kjo organizatë Feto është një organizatë që shkoi deri aty, sa të bombardojë edhe parlamentin e Turqisë, që ishte në seancë plenare. Në Turqi kjo organizatë është eliminuar në masë të madhe. Por, nuk është vetëm Turqi objektivi i kësaj organizate terroriste tinëzare e nivelit ndërkombëtar. Kjo organizatë, ky grup terrorist, për të realizuar qëllimet e veta, e maskon aktivitetin me institucione arsimore, në shëndetësi, media e shoqata të ndryshme. Të gjitha vendet ku ajo vepron përbën një rrezik për sigurinë e atyre vendeve. Por dua të them që ne nuk do ta lejojmë kurrën e kurrës që kjo organizatë terroriste të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, tha Şentop.

Së shpejti, konsullatë turke në Vlorë

Kreu i Asamblesë turke, Mustafa Şentop, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri tha se Turqia synon të zgjerojë investimet në vendin tonë, në veçanti edhe në sektorin e turizmit.

Në këtë kuadër, Sentop tha se procedurat për hapjen e konsullatës së Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Vlorë kanë përfunduar dhe kështu vendi i tij do të ketë një kontribut në zhvillimin e turizmit në jugun shqiptar.

“Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare përbëjnë një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve tona dypalëshe. Momentalisht shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona janë rreth 500 milionë euro. Investimet turke në Shqipëri kapin vlerën e rreth 3.5 miliardë dollarë. Jemi të vendosur për ta ngritur këtë shkëmbim tregtar në nivelin e 1 miliard dollarëve brenda disa viteve. Kemi dëshirë dhe synojmë t’i rrisim e zgjerojmë investimet tona në Shqipëri, në veçanti në sektorin e turizmit. Kanë përfunduar procedurat për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Vlorë dhe kështu do të kemi një kontribut në zhvillimin e turizmit në jugun shqiptar. Uroj që kjo vizitë të jetë e dobishme dhe të japë rezultate në dobi të interesit të marrëdhënieve tona”.