Të gjitha gjobat, patentat dhe makinat e bllokuara si masë ndëshkuese për shkeljen e rregullave antiCovid do të kthehen brenda datës 15 Nëntor. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe është publikuar sot në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.

Akti normativ parashikon faljen e të gjitha masave administrative me karakter ndëshkues, të vendosura për shkeljen e rregullave përcaktuara nga aktet ligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e Covid për periudhën nga data 17 Prill 2020 deri më 7 Tetor 2020.

Akti normativ parashikon edhe kthimin e parave të gjobave të paguara, patentave, licencave dhe mjeteve të bllokuara në zbatim të masave administrative.

Gjithashtu nëpërmjet këtij vendimi falen të gjitha masat administrative të vendosura nga pushteti vendor ndaj familjeve të dëmtuara nga tërmetet e datave 21 Shtator dhe 26 Nëntor 2019, për shkeljet e konstatuara gjatë kryerjes së punimeve për riparimin/rindërtimin e banesave individuale.