Franca dhe Gjermania thanë të mërkurën se do të propozojnë sanksione të Bashkimit Evropian kundër disa individëve rusë, pasi nuk morën përgjigje të besueshme nga Moska për helmimin e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny me një agjent nervor.

Shumë vende perëndimore mbështesin mendimin se Rusia, e cila i ka mohuar akuzat e zotit Navalni se kishte gisht në helmim, duhet të ndihmojë në hetimet ose do të përballet me pasoja.

Pak ditë më parë, ishte Rusia që akuzoi Navalny-n se po bashkëpunon me CIA-n, një ditë pasi kritiku i Kremlinit tha se Vladimir Putin ishte përgjegjësi për helmimin e tij. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë akuzat e Navalny-t, duke i quajtur “të pabaza dhe të papranueshme”. Ai shtoi se specialistë nga inteligjenca amerikane po punonin me Navalnyn këto ditë dhe i kanë dhënë atij udhëzime.