Historia e një diplomati holandez, i cili ndihmoi për të vënë para drejtësisë vrasësin serial më famëkeq të Azisë, do të tregohet në një serial të ri të krijuar nga bashkëpunimi BBC/Netflix.

Charles Sobhraj, i cili njihet edhe si “Gjarpri”, drogonte dhe vriste turistët perëndimorë që kalonin në “Shtegun e Hipive”, në vitet ’70. “Gjarpri” iu shmang autoriteteve aziatike, derisa ndërhyrja e Herman Knippenberg bëri që ai të përfundonte pas hekurave.

Sobhraj kishte një pasaportë të vjedhur franceze dhe shtirej si tregtar xhevahirësh, ndërkohë që krijonte miqësi me turistët, i drogonte, i grabiste dhe i vriste në mënyra makabre. Ai përdorte pasaportat e vjedhura të turistëve për të hyrë e dalë nëpër shtetet e kontinentit aziatik.

Sot, Sobhraj vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Nepal, për vrasjen e dy turistëve në vitin 1975. Por, shumë prej vrasjeve të tjera të tij mbeten ende të pazgjidhura dhe për Knippenberg, çështja e “Gjarprit” nuk mund të konsiderohet e mbyllur.

Nuk dihet numri i saktë i viktimave të këtij vrasësi serial, por në disa intervista ka pranuar se ka vrarë 12 turistë, por më pas i ka tërhequr këto deklarata.

Herman Knippenberg me aktorin Billy Howle, i cili e interpreton në serialin e ri