Grupi i parë i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ka nisur trajnimin në Itali. Në pamjet e publikuara nga mediat italiane shfaqet drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj dhe kreu i SPAK, Arben Kraja, të cilët priten nga drejtues të lartë të DIA-s, antimafias italiane që organizon këtë trajnim.

Gjithashtu edhe ambasada italiane ka publikuar këto foto, ku shpjegon se 27 hetuesit shqiptarë do të qëndrojnë për një javë atje dhe përpos trajnimit përspecifikat e hetimit, do të vizitojnë edhe disa ambiente, ku punojnë hetuesit italianë.

Në raportimin e fund majit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kreu i SPAK, Arben Kraja dha detaje për strukturën e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkaq, burime të sigurta pranë SPAK konfirmuan për Vala News se sapo 27 hetuesit e BKH-së të kthehen nga Italia, do të nisë edhe procesi i madh i trajnimit nga vetë Byroja Federale e Hetimit.

Mësohet se përgjatë një muaji ekspertët e FBI-së do të mbërrijnë në Durrës, ku do të trajnojnë për njëmuaj hetuesit shqiptarë të BKH-së.

Referuar edhe fjalës së Krajës, rezulton se pas këtij trajnimi, hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë gati për të nisur punën në gusht, nën drejtimin e prokurorëve të SPAK, ku priten edhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar,korrupsionit dhe veprave të tjera penale, për të cilat janë ngarkuar këto struktura të reja të drejtësisë.