Nga Engjëll NOVA

_____

Rriten pagat e Gjykatës Kushtetuese. Drafti me ndryshimet përkatëse është dorëzuar në Kuvend dhe parashikon që paga për drejtuesin e Gjykatës Kushtetuese të arrijë në 773 mijë lekë. (7 milion e 730 mijë të vjetra në muaj).

Ndërkohë që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të marrin një pagë prej 664 mijë lekësh.

Me këtë rritje pagat për gjyqatrët e kushtetuese thuajse dyfishohen.
Po ashtu të njëjtën pagë do të marrin dhe gjyqtarët e kolegjit të Posaçëm të Apelimit pasi janë në të njëjtën nivel hierakie pasi institucioni përcakton se kush qëndron në sistemin e drejtësisë dhe kush largohet prej tij.

Ndërsa këshilltarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të marin një pagë që arrin në 326 mijë lekë.

Propozimi për rritje të pagave në Gjykatën Kushtetuese e vendos atë në majën e piramidës së pagave të sistemit të drejtësisë duke qenë se kontrollon kushtetutshmërinë e vendimeve që japin gjykatat e posaçme për krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe kështu mbart vështirësi.

Miratimi i këtij projektligji shoqërohet me efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit të cilat kapin vlerën e 34 milionë lekëve. Projektligji për rritjen galopante të pagave në Gjykatën Kushtetuese nga ana e qeverisë, nga shumëkush mund të interpretohet si përpjekje e saj për “blerjen” Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria ka premtuar se do të vijojë rritjen e pagave duke e çuar pagën mesatare në vlerën 900 euro dhe duket se po e mban këtë premtim. Duke shtuar në maksimum pagat e atyre që kanë në dorë të gjykojnë kushtetueshmërinë e vendimeve të saj, me një gur ajo vret dy zogj.
Edhe pagën mesatare e çon drejt 900 eurove, edhe me Gjykatën Kushtetuese e rregullon…
Ndërsa për pagën minimale dhe pensionistēt s’ka asnjë problem. Rroftë “paga mesatare” dhe Gjykata Kushtetuese!