Presidenti i ShBA, Joe Biden firmos një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pasurive të individëve që sipas Departamentit të Thesarit Amerikan kanë cenuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Përveç bllokimit të pasurive, dekreti u ndalon këtyre personave dhe hyrjen në territorin e SHBA.

Dekreti do të përfshirë persona të cilët janë të lidhur me korrupsionin dhe do të ketë efekt mbi ish-zyrtarë apo zyrtarë aktualë të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë përdorur asetet publike për të përfituar personalisht apo për qëllime politike.

Në letrën që Biden i dërgon Senatit dhe Kongresit amerikan thuhet se bëhet fjalë për ndryshimin e një dekreti ekzistues që firmosur në qershor 2001 që përfshinte ish-Jugosllavinë. Tashmë në këtë dekret do të jetë përfshirë dhe Shqipëria.

“Në kuadër të situatës në territorin e ish Federatës Socialiste të Republikës së Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë në dy dekadat e fundit, përfshi cenimin e marrëveshjeve të pasluftës si dhe institucioneve pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe përhapja e gjerë midis qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor dëmton progresin kundrejt qeverisjes efektive dhe demokratike, integrimin e plotë drejt institucioneve transatlantike dhe kësisoj është një kërcënim i jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikave të jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në letrën e Biden.

Në dekret thuhet:

I (a) Të gjithë pronat apo interesat mbi pronat që janë në Shtetet e Bashkuara, që vijnë në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara, ose që vijnë në të ardhmen në pronësi apo në kontroll të një personi në Shtetet e Bashkuara do të bllokohen dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen; nga asnjë person i përcaktuar nga Departamenti i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit.

Vendimi vjen pak ditë pasi Departamenti i Thesarit Amerikan shpalli ‘non grata’ disa biznesmenë nga Bulgaria. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli si person ‘non grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjarët e tij.

Vendimi është përshëndetur dhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila thekson se lufta kundër korrupsionit është thelbi i sigurisë kombëtare të SHBA.