Nga sot, kanë hyrë në fuqi rregullat e reja të udhëtimit nga Shqipëria drejt Austrisë, për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, vetëm personat e vaksinuar plotësisht ose ata me dëshmi mjekësore që e kanë kaluar COVID-19, nuk do t’i nënshtrohen karantinës.

Pjesa tjetër mund të hyjnë në Austri, por duhet të paraqesin një test negativ dhe të qëndrojnë të izoluar për 10 ditë. Karantina mund të përfundojë pas 5 ditësh me një test negativ.

“Të gjithë udhëtarët e pavaksinuar, mund të hyjnë në Austri, por duhet të regjistrohen paraprakisht në (Pre Travel Clearance English) https://entry.ptc.gv.at/en.html. Të paraqesin një test negativ të COVID-19  dhe të qëndrojnë në karantinim të detyruar për 10 ditë në një hotel ose vendbanim, me shpenzimet e tyre. Karantina mund të përfundojë pas 5 ditësh me një test negativ”.

Kategoritë që përjashtohen nga kërkesat për regjistrim dhe karantinë janë ata që udhëtojnë për qëllime biznesi; forca humanitare; të miturit midis moshës 12 dhe 18 vjeç që hyjnë në Austri nën mbikëqyrjen e personave plotësisht të imunizuar; si edhe ata që hyjnë në vend për arsye të paparashikueshme, urgjente, familjare si (sëmundje të rënda, vdekje në familje, funerale, lindje), të cilat do të vlerësohen dhe merren parasysh si të tilla nga autoritetet përkatëse.