Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë miratimin e plotë dhe përfundimtar për vaksinën Pfizer-BioNtech, bën me dije New York Times.
Drita jeshile e agjencisë amerikane mund të bindë shumë skeptikë dhe mund t’i hapë rrugën mundësisë së vaksinimit të detyrueshëm nga organizatat publike dhe private, nga shkollat tek ushtria, nga kompanitë tek administrata shtetërore dhe lokale.
Deri më tani vaksina ishte përdorur vetëm për aplikim emergjent.
Miratimi vjen pak ditë pasi shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit deklaruan në një studim se vaksina Pfizer-BioNTech është fillimisht më efektive kundër variantit të koronavirusit Delta sesa vaksina AstraZeneca, por kjo mbrojtje më pas bie me një ritëm më të shpejtë. Stuiuesit kanë konfirmuar se performanca e përgjithshme e dy vaksinave zvogëlohet nga Delta. Sidoqoftë, dy doza të secilës vaksinë ende sigurojnë të paktën të njëjtin nivel mbrojtjeje të fituar përmes infeksionit natyror. Duket se ka pak ndryshime në efektivitetin e vaksinës AstraZeneca tre muaj pas një doze të dytë, sipas studimit. Në të kundërt, ka një rënie të qartë të mbrojtjes të siguruar nga vaksina e Pfizer gjatë këtij afati të njëjtë kohor.