Kryeministri Edi Rama deklaroi se kërkesa për energji nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), është më e ulët sot sesa në 1 shtator, kur u lançua fasha mbi 800kw.

Gjatë një komunikimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se rritja e nivelit të baseneve në hidrocentrale, por edhe fillimi i qasjes pozitive të abonentëve familjarë për të kursyer energjinë, ndikuan në këtë vendim të qeverisë për heqjen e fashës.

“Jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv, pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë. Në 1 shtator, kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800kw, kërkesa për energji nga KESH-i ishte 17,000kw, sot është rreth 11,000kw. Në 1 shtator kur ne lançuam fashën mbi 800kw, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë sesa është sot.

Në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasjeje pozitive të abonentëve familjarë, për të kursyer energjinë. Në këto kushte, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800kw të mos hyjë në fuqi në 1 tetor”, theksoi ai.