Forumi i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonomisë Qarkulluese është mbajtur ditën e sotme ku i pranishëm ka qenë dhe Kryeminstri i vendit Edi Rama. Gjatë fjalës së tij në këtë forum, kryeministri Rama është shprehur se problematika e mbetjeve është një çështje që qeveria i ka kushtuar një vëmendje të jashtëzakonshme, sidomos pas mandatit të tretë.

Edi Rama: E gjithë kësaj problematikë për të cilën kemi kohë që merremi dhe të cilës i kemi kushtuar një vëmendje të jashtëzakonshme sidomos që nga dita e parë e nisjes së mandatit të tretë sepse realisht bazat e vendosura janë pozitive, por nga ana tjetër, nevoja për të çuar më shpejt dhe më përpara është realisht therëse.

Kryeministri Rama është kthyer pas në kohë duke thënë se kur e kanë nisur këtë rrugëtim, rreth 50 për qind e mbetjeve mbeteshin rrugëve, ndërsa tani në vend grumbullohen 90 % e tyre.

Edi Rama: Ajo që vlen të përsëritet si fakt është që kur ne e nisëm këtë rrugëtim në Shqipëri, 50 për qind e mbetjeve mbeteshin rrugëve, i merrnin ujërat, digjeshin në fusha shumë pranë zonave të banuara dhe faktikisht, banorët e Kombinatit në Tiranë, banorët e Elbasanit apo të Fierit ku sot situata është tjetër, besoj e kujtojnë akoma se çfarë ndodhte në zonat e tyre me malet e plehrave që sillnin në çdo dritare ajrin e ndotur dhe toksik.

Padiskutim, banorët e Durrësit e kujtojnë, por për fat të keq kanë mbetur në mendjet e shumë njerëzve dhe nga jashtë që e kanë ndjekur nga kronikat, fushën e mbushur me vargmale plehrash në Porto Romano, e cila sot është kthyer në një parqet më të mëdha urbane të Shqipërisë.

Nëse 50 për qind e plehrave mbeteshin rrugëve dhe ktheheshin në lëndë toksike, sot ne jemi në 90 për qind të grumbullimit të tyre dhe kemi akoma një sasi relativisht të vogël e cila mbetet e pagrumbulluar, e cila duhet trajtuar si problem i madh.