Kontabilistët, audituesit, noterët, avokatët, vlerësuesit e pasurive dhe të gjithë profesionet e tjera të lira, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, nuk do të paguajnë më TVSH-në nga zero, por mbi qarkullimin vjetor prej 10 milionë lekësh, ashtu si gjithë bizneset e tjera.

Ndryshimi është publikuar në Fletoren e fundit zyrtare, në të cilin u miratua dhe rritja e kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar nga 2 në 10 milionë lekë, nga 1 janari I vitit të ardhshëm.

I njëjti  shfuqizoi dhe pikat 2 dhe 3 të nenit 11 të vendimit Nr. 953, datë 29.12.2014 për dispozitat zbatuese të ligjit të TVSH-së. Pika 2 e këtij neni përcaktonte se “Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit”.

Ky nen nga 1 janari 2021 shfuqizohet.

Është rritur pragu i TVSH-së nga 5 në 10 milionë lekë edhe për prodhuesit bujqësore që janë në skemën e kompensimit. Neni 3, që shfuzizohet nga 1 janar përcaktonte se “Për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.

 

©Copyright Vala-News.com