Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në SPAK për shpërdorim të detyrës 10 zyrtarë, 8 prej të cilëve janë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 2 të tjerë pjesë e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO).

Ata akuzohen nga KLSH se kanë abuzuar me barazinë e pjesëmarrjes në tenderë, që lidhen me ofrimin e shërbimit laboratorik në spitalet e Bashkisë Sarandë dhe Lushnjë, si dhe kanë abuzuar me procedurën e prokurimit për blerje të pajisjeve “monitor pacienti për masat anti-Covid”, që ishin të nevojshme gjatë pandemisë.

“Gjatë auditimit financiar dhe të përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, KLSH konstatoi shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dy punonjës të ATRAKO, lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-Covid”, thuhet në njoftimin zyrtar.

7 prej të kallëzuarve, anëtarë të të Komisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP, kanë shkelur procedurat lidhur me barazinë në tenderë, për ofrimin e shërbimit me laboratorë në spitalet rajonalë, ndërsa 3 të kallëzuarit e tjerë, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë kryer shkelje gjatë procedurës së prokurimit për blerjen e monitorit të pacientit.

Dy ditë më parë KLSH kishte depozituar kallëzime penale për një numër të madh ish-drejtorësh dhe përgjegjësish e specialistësh të Kadastrave në Lushnjë, Berat dhe Sarandë, për shkelje në procedurat e legalizimeve apo lejeve të ndërtimeve informale.

Për të tilla abuzime, edhe ministri i Drejtësisë njoftoi të martën se ka urdhëruar shkrirjen e Kadastrës së Durrësit dhe propozuar shkarkimin e të gjithë zinxhirit drejtues në këtë institucion, pasi gjatë kontrollit për vitin e kaluar, u gjetën 210 dosje me shkelje.