Një tjetër raport-kontrolli ka përfunduar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku u gjetën shkelje të rënda. Në një auditim në Autoritetin Portual Durrës, janë kallëzuar në SPAK ish-drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës dhe 6 punonjës të tij, për “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” dhe “shpërdorimi i detyrës”.

Gjatë periudhës 1 korrik 2018, deri më 31 dhjetor 2020, të kryer nga KLSH, ka rezultuar se ish-drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, së bashku me 6 punonjës të tij, Përgjegjësin e Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialistë, kanë abuzuar me procedurën e prokurimit “shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave”.

“Veprimet e ish-titullarit të Autoritetit Portual Durrës dhe punonjësve të tij, janë kryer në kundërshtim me ligjin, duke sjellë keqpërdorim të fondeve publike”, thuhet në njoftimin zyrtar.