Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me organizatën mjedisore globale “Patagonia”, për të nisur punën për shpalljen e lumit Vjosa, Park Kombëtar.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Rama tha se pavarësisht faktit që lumi shtrihet në një hapësirë tepër të madhe gjeografike, që prek jetët e shumë fshatrave dhe qyteteve, në hapësirën rreth saj nuk do të lejohet ngritja e bizneseve që e cenojnë atë.

“Na thonë që Vjosa është lumi i fundit i egër i Europës bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre. Kurse këtu e duan të egër. Ne nuk jemi kundër, por këta që e duan Vjosën të egër, duhet të keni parasysh që nuk mund të ndërtojmë një rezervat ku edhe njerëzit t’i egërsojmë për t’ia përshtatur kënaqësisë së tyre për një lum të egër në Europë, por të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që do t’ia lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës. Vjosa është egërsira e fundit lumore që nuk do të hyjë në cirkun e kafshëve të zbutura të sistemit energjetik të Europës. Të gjithë lumenjtë e tjerë janë bërë si ata qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji”, tha Rama.

Kryeministri e mbylli fjalën e tij me një batutë për aktorin hollivudian, Leonardo DiCaprio, i cili disa herë ka bërë apel për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar. “Më kanë shënuar diçka për Leo Di Caprion, por nuk po e them, sepse u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por jo për ta mbështetur qeverinë. E ka shok të mirë ministrja e Turizmit prandaj nuk po i bie më shumë. Mbase këto goditjet do t’i shkojnë në vesh, se mund ta kishim lavdëruar një orë dhe nuk do ta merrte vesh, mbase duke e sharë pak do t’ia kapi veshi. Se aty ku të lavdërojnë me miliona njerëz, se të lavdëron edhe një tjetër nuk bëhet lajm. Por kur miliona të lavdërojnë dhe të thonë që të ka sharë njëri, atëherë ka të ngjarë që të zgjohet edhe Nardi”, tha Rama.