Liderët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor do të vizitojnë Ukrainën me ftesë të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Gazeta malazeze “Vijesti” ka konfirmuar se Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka pranuar ftesën dhe do udhëtojë së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Sipas “Vijesti”, Rama dhe Kovaçeski kanë pranuar idenë e Kryeministrit Abazoviç për të shkuar të tre në Ukrainë, në mënyrë që të “dërgojnë një mesazh më të fortë dhe të përbashkuar nga Ballkani Perëndimor”.

Mbetet vetëm që 3 liderët të bien dakord për datën e vizitës.

Pas nisjes së luftës, Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës i kanë vizituar liderë të ndryshëm botërorë për të shprehur mbështetjen në luftën kundër Rusisë.