Shqipëria është një ndër vendet e preferuara për sportet e aventurës.

Pozita gjeografike na ka bekuar duke na dhuruar, dete, male dhe lumenj.

Pikërisht në këtë këta të fundit zhvillohet sporti i Rafting që tërheq çdo vit mijëra vizitorë në Përmet.

Së fundi pjesë e kësaj aventure është bërë edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi.

Ai ka qenë së bashku me një grup të rinjsh nga vendet e rajonit që po trajnoheshin si udhërrëfyes për rafting.

Çuçi publikon edhe një video në faqen e tij në Facebook teksa shkruan:

“Nëse s’keni provuar të bëni rafting, me siguri nuk dini asgjë për sportet e aventurës. Dhe ku më mirë sesa në lumin Vjosë dhe me Blerina Agon, pioneren e turizmit të aventurës në Shqipëri dhe në rajon, që ka ndërmarrë së fundi një sipërmarrje të re për të lidhur natyrën dhe kulturën autentike me aktivitetin fizik.

Me të rinj nga vendet e rajonit që po trajnoheshin nga “Active Albania” për t’u bërë udhërrëfyes turistik në rafting, pata një eksperiencë fantastike në ujërat e kristalta të Vjosës mes një natyre të mrekullueshme.

Përmeti dhe i gjithë qarku Gjirokastër janë tashmë një pol i rëndësishëm turistik në Shqipëri dhe një destinacion i pashmangshëm në jug të vendit, ku mund të kombinoni disa aktivitete së bashku dhe të kaloni më shumë sesa një fundjavë.

Me sportet e aventurës si rafting, hipizmi apo hiking dhe investimet në agroturizëm, zonat rurale kanë një perspektivë të sigurt për zhvillim të qëndrueshëm.

Vjosa është një aset i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, një burim të ardhurash për Përmetin dhe sipërmarrjet lokale. Përgëzime për Blerinën dhe këdo tjetër që investon në sipërmarrje të cilat fuqizojnë zonat rurale, ruajnë burimet natyrore dhe kulturore, si dhe diversifikojnë produktin turistik në treg.”

Blerina Ago, themeluese e Active Albania (www.activealbania.com) shpjegoi se objektivi kryesor i “Përqafo Aventurën e Ballkanit” i mbështetur nga projekti i USAID për Zhvillim Ekonomik, Qeverisjes dhe Rritjes së Sipërmarrjes,  është të rrisë ofertat e operatorëve turistikë për turizmin në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Aktivitetet e organizuara nga Active Albania në bashkëpunim me Fakulteti i Aktivitetit Fizik dhe Rekreacionit (Universiteti i Sporteve të Tiranës) dhe partnerët lokale MontAlb, BLT D.o.o dhe Webgliders DOOEL, do të formojë 32 të rinj nga katër vende me aftësi në : rafting, ngjitje malore dhe mikpritje.

Për këtë qëllim,  trajnimi i rafting në lumin Vjosa, Përmet është t’u ofrojë pjesëmarrësve një edukim dhe trajnim të përgjithshëm në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të rafting.

Ky vit është shansi për të ndërtuar më mirë në sektorin e turizmit duke investuar në modele që përqendrohen në fuqizimin e zonave rurale, përfshirjen dhe ruajtjen e burimeve lokale natyrore dhe kulturore.