Komisioni Shtetëror i Rindërtimit ka miratuar rrëzimin e gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës pas dëmtimeve të pësuara si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, një vendim që, për shumë prindër të nxënësve të shkollës dhe banorët e shtëpive përreth ka ngritur dyshimet se fsheh një aferë “korruptive” ndërtimi.

Godina e gjimnazit funksionoi normalisht edhe 4 muaj pas lëvizje sizmike, deri në Mars 2020, kur Ministria e Arsimit vendosi mbylljen e mësimit normal për shkak të pandemisë Covid-19.

Nga muaji Dhjetor 2019 deri në Mars 2020, shkolla “Naim Frashëri” ka pritur, pa problem, qindra nxënës, si edhe stafin pedagogjik.

Madje deri ditën e djeshme atje ka funksionuar normalisht shkolla, ku janë parë mësuesit edhe prindërit që regjistronin fëmijët për vitin e ri shkollor.

Dje një urdhër i beftë ka lajmëruar nxënësit dhe prindërit e tyre se shkolla do të shembet, pasi kështu ka vendosur Komisioni Shtetëror i Rindërtimit.

Dyshimet

Prindërit e disa nxënësve, si edhe me qytetarë, të cilët kanë banesat e tyre pranë shkollës ngrenë dyshimin se godina do të prishet për t’i hapur rrugë ndërtimeve private, pallate ose qendra tregtare.

Shkolla “Naim Frashëri” gjendet në një zonë të lakmuar të qytetit të Durrësit dhe biznesi i ndërtimit ka pasur shpesh interes për të investuar aty.

Pjesa e pasme e shkollës është e rrethuar me shtëpi përdhese ose maksimumi dy-katëshe, një pjesë e të cilave janë ndërtime të hershme.

Një prej banorëve të zonës, thotë se janë përballur me kërkesa nga investitorë ndërtimi për t’u dhënë truallin, në këmbim të apartamenteve në pallatet e reja.

Një pjesë e banorëve janë joshur nga këto oferta, por gjithsesi ato kanë mbetur të parealizuara deri më tani. Shkak ka qenë fakti që godina e shkollës “Naim Frashëri” pengonte zhvillimin e projekteve private.

Vendimi për rrëzimin e shkollës “Naim Frashëri” duket se hap rrugën për kullat private, siç mendojnë një pjesë e banorëve, por edhe disa prindër të nxënësve që mësojnë në këtë shkollë.

Dëmtimet e 26 Nëntorit

Shkolla “Naim Frashëri” pësoi dëmtime nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, ashtu si edhe shumë godina të tjera publike e private në qytetin e Durrësit.

Vala Neës zhvilloi një vizitë në shkollë edhe me vështirësitë që u tentua të pengohej me pretendimin se ishte e rrezikshme për shkak të dëmeve.

Ndërkohë, një vëzhgim i jashtë mbi godinën e gjimnazit nuk tregonte për dëmtime, aq më tepër të rënda.

Komiteti Shtetëror i Rindërtimit, i drejtuar nga Arben Ahmetaj, ka vendosur rrëzimin e saj të plotë dhe rindërtimin, bazuar edhe në oponencën e realizuar nga Instituti i Ndërtimit, si edhe bazuar në sugjerimin e Bashkisë së Durrësit.

Akti i ekspertizës për gjendjen e godinës së gjimnazit “Naim Frashëri” nuk është bërë publik.

Po ashtu, përveç termit “Rindërtim”, për shkollën “Naim Frashëri” në Durrës nuk ka asnjë detaj tjetër, përfshirë faktin nëse do të ngrihet në të njëjtin vend apo diku tjetër, sa do të jetë sipërfaqja dhe të tjera të dhëna të përgjithshme.

Mungesa e plotë e transparencës forcon dyshimet e banorëve përreth shkollës dhe shumë prindërve të nxënësve se shkatërrimi i “Naim Frashërit” mund të shërbejë si mbulesë për projekt korruptiv ndërtimesh private.

Ndryshim drejtorësh

Paralelisht me hartimin e planeve paraprake nga Bashkia e Durrësit, për prishjen e godinës së “Naim Frashërit”, shkolla pëson edhe ndryshime në nivelin drejtues të saj.

Ish-drejtoresha Burbuqe Hoti (Meta) e kontaktuar pak ditë më parë nga portali “Boldneës.al” shprehje se ishte larguar nga pozicioni i drejtoreshës së shkollës në Prill 2020. Ajo nuk deklaroi shkaqet e lëvizjes nga detyra.

Znj. Hoti ka qenë prej vitesh drejtoreshë e shkollës “Naim Frashëri”. Në bazë të të dhënave mediatike, rezulton se ajo është pezulluar përkohësisht nga detyra në vitin 2016, në vijim të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Durrësit për “Shpërdorim detyre”.

Burbuqe (Hoti) Meta rikthehet pas pak kohësh në pozicionin e mëparshëm, deri në Prill 2020.

Në vend të saj, tashmë është komanduar si drejtoreshë e shkollës “Naim Frashëri” znj. Ezmeralda Xheraj, e cila është njëkohësisht edhe anëtare e Këshillit Bashkiak, e njëjta strukturë që ka sugjeruar prishjen e godinës së gjimnazit.

Ezmeralda Xheraj

Ezmeralda Xheraj

Në bazë të të dhënave të siguruara nga mediat rezulton se znj. Xheraj ka qenë për disa kohë mësuese historie në gjimnazin tjetër të Durrësit, “Gjergj Kastrioti”.

Xheraj u largua nga ai pozicion, me motivacionin zyrtar për “mungesë orësh mësimore”, ndërkohë që mes nxënësve të “Gjergj Kastriotit” ishte përfolur për mitmarrje.

Në vitin 2014, Xheraj u emërua zv.drejtoreshë tek gjimnazi “Naim Frashëri” dhe më tej emërohet drejtoreshë tek shkolla “Jusuf Puka”.

Në vitin 2019 kandidon për postet vakante të drejtorit ë Zyrës Arsimore në Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë. Në një emision investigativ të një televizioni në Tiranë, emri i Ezmeralda Xheraj shfaqet si “fituese e paracaktuar” për Zyrën e Durrësit.

Megjithatë, këto mbetën vetëm dyshimeve paraprake, pasi Xheraj fiton konkursin për drejtimin e Zyrës Arsimore në Rrogozhinë.

Në këtë detyrë qëndron vetëm pak ditë dhe rikthehet si drejtoreshë në shkollën “Jusuf Puka”, e cila tashmë është rrafshuar, pas dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Tashmë, Ezmeralda Xheraj është komanduar të drejtojë shkollën e mesme “Naim Frashëri” në Durrës, e cila është në planet shtetërore për t’u prishur e gjitha. Dyshimet e arsyeshme janë të tilla që ky emërim ka të bëjë me prishjen e Naim Frashërit. Komitetit ndërministror të drejtuar nga Ben Ahmetaj alias Tigri u duhet dikush që të firmos symbyllurazi aferën e radhës korruptive.

Sa më lart, nuk kundërshtohet shembja, pasi ajo mund të jetë e drejtë, por mungesa e transparencës. Si është e mundur që nuk bëhet publik vendimi se kush e thotë që duhet shembur dhe arsyet. Po ashtu, nuk thuhet nëse shkolla do të rindërtohet aty apo në një vend tjetër, dhe mbi të gjitha ajo që është më shqetësuesja si mund të lësh fëmijët pa mësim apo ti hallakatësh sa në një shkollë në një tjetër, ndërkohë që kjo shkollë mund të restaurohet me një fond më të vogël se sa do për rindërtim.

Kjo mbetet punë e organeve lizgjzbatuese, kryesisht e SPAK, por me sa duket aty ende janë në gjumë. Siç ka thënë dhe kryeministri, “punë ka, por duhen profesionist”.

 

Vala News