Ashtu siç paralajmëroi dje, Kryeministri Rama iu drejtua shqiptarëve me një mesazh në lidhje me akuzat e kryedemokratit Basha mbi fshehjen e viktimave COVID.

Rama theksoi se shumica dërrmuese e popullit ka bërë më të mirën, ndërsa tha se një pakicë e zhurmshme gjuan çdo ditë me gurë.

Kryeministri sulmoi opozitën dhe presidentin duke thënë se sipas tij akuzat e pabaza. Ai tha se viktimat nuk janë kuti këpucësh që mund t’i fshehim, ata nuk treten në ajër dhe se mjekët në front të parë nuk janë si këshilltarët e presidentit që shpërndajnë lajme të rreme, nuk fshihen viktimat si u fshinë videot e kryeministrisë në 21 janar. Kryeministri u shpreh më tej se opozita dhe presidenti po bëhen palë me COVID-19 për të rrëzuar qeverinë.

“Përgjegjësi e jashtëzakonshme të jem në krye ,në këtë përballje me pandeminë. Është një provë që po sfidon njerëzit pa dallim kombësie dhe shtresat shoqërore.

Një sprovë për karakterin kombeve, pavarësisht bindjeve apo opinioneve të ndryshme. Këtë sprove ashtu si tërmeti në shqiptarët jemi të sfiduar ta përballojmë me forcën e karakterit tonë. Mënyra e reagimit ndaj goditjeve të tilla tregon se kush jemi. Tërmeti godet fort në një kohë të shkurtuar, virusi godet nga pak në një kohë të tejzgjatur.

Në të dyja rastet del në pah karakteri ynë edhe si zëdhënës i publikut , patjetër edhe si udhëheqës. Jam krenar se si ne si popull kemi reaguar në të dyja rastet qoftë duke ndihmuar, qoftë duke sakrifikuar edhe në këtë rast me virusin. Jam krenar si kryeministër se si forcat e këtij shteti janë vënë në dispozicion.

Nuk jam këtu për tu ankuar për baltën dhe pështymat që marr përditë nga pakicat e zhurmshme, mua personalisht më bëjnë më të fortë dhe më japin më shumë energji për të udhëhequr betejat”, tha Rama.

Sakaq, kjo çështje ka sjellë reagime të shumta ditën e djeshme ku së pari ishin mjekët e spitaleve COVID të cilët kanë mohuar gjithçka.

Ata thanë se kjo është një goditje e qartë ndaj punës së tyre. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë i ka bërë thirrje kryedemokratit Basha që të shkojë dhe të ballafaqojë të gjitha pretendimet e tij.

Ka reaguar dhe kreu i Institutit të Mjekësisë Ligjore të cilët deklarojnë se nuk kanë fshehur asgjë dhe nuk kanë pasur asnjë të vdekur pa skedë.