Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se para zgjedhjes së presidentit të ri duhet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.

“Është tejet e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional”, thuhet në njoftimin e VV-së pas një takimi mes Albin Kurit dhe shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Tomas Szunyog ka kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe funksionimin e Kuvendit. Ndërsa Kurti u shpreh se duhet të rinisë dialogu me Serbinë, që të bëhet më i besueshëm.

Pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi, Vjosa Osmani është përkohësisht presidentja e vendit deri në zgjedhjen e presidentit të ri.