Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën greke ‘Kathimerini’ thotë se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës “nuk është i joni” por i vendosur nga Jugosllavia.

Kurti mbron njohjen e plotë të Kosovës dhe anëtarësimin në BE dhe NATO edhe pa arritjen e një marrëveshjeje Serbi-Kosovë.

Në të njëjtën kohë, ai nuk e fsheh aspiratën për të parë Kosovën të bashkuar paqësisht me Shqipërinë dhe nuk sheh ndonjë shqetësim për shkaktimin e një stabiliteti nga politikat e tij.

“Ne jemi një komb dhe është e pamundur për ne të harrojmë se kufiri mes Serbisë dhe Shqipërisë është vendosur nga Serbia dhe Jugosllavia”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës nënvizoi se nëse serbët sulmojnë Kosovën, ata nuk reagojnë vetëm si Kosovë, por reagojnë si popull shqiptar.

Moska ka hequr shpesh paralele krahasimi mes Ukrainës dhe Kosovës, por për Kurtin janë dy gjëra krejt të ndryshme.

“Është një krahasim fals që të krahasosh Krimenë me Kosovën. Putin dhe Vuçiç folën për standarde të dyfishta dhe hipokrizi ndërkombëtare ku presidenti serb i tregonte në hartë pjesën veriore të Kosovës ku jeton minoritet serb. Pse duhet ta bënte këtë? Atëherë ne jemi në rrezik”, tha ai.

Kurti thotë se ai është Kryeministër i Kosovës dhe jo i shqiptarëve, ndaj nuk do të lejojë që asnjë serb i Kosovës të dëmtohet për shkak të kombësisë.

Shqetësimi më i madh i kreut të qeverisë së Kosovës është përhapja potenciale e luftës së Ukrainës edhe në Ballkanin Perëndimor.

Kurti thotë se ka tre vende të tjera ku potencialisht Kremlini mund të shkaktojë konflikt, duke iu referuar Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Ndaj jam i shqetësuar për rajonin tonë dhe praktikisht vendin tim. Në 2012, kishte vetëm dy aktivitetet të përbashkëta ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë. Në 2016, 50, kurse vitin e kaluar 100”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës shtoi se nuk e di se sa mundësi reale ka që konflikti të përshkallëzohet, por shtoi se Putinit po i mbyllen rrugët e shpëtimit ndaj kjo e bën edhe më të rrezikshëm.