Ka tri kategori njerëzish që po tentojnë të krijojnë një debat fals mbi koncertin e këngëtarit Goran Bregoviç, një emblemë e muzikës së ish-Jugosllavisë, i keqpërdoruar më pas nga shpërthimet e nacionalizmave në Ballkan, keqpërdorim që vazhdon akoma, tashmë nga disa “patriotë” shqiptarë.

Në krye të fushatës qëndron Albin Kurti, i cili në fakt nuk ka asnjë problem me Bregoviçin, pasi problemin e ka me Serbinë, të cilën e ka partneren kryesore tregtare në vend. Ai e ka objektiv sherrin me Shqipërinë dhe personalisht me Edi Ramën, me një agjendë të qartë për të thelluar konfliktin me të në emër të “nacionalizmit” . Mund ta kursente Bregovicin se ai, edhe pa të, ka gjetur dhjetëra arsye të krijojë një klimë armiqësore me Shqipërinë, por nuk është se mërzitemi që e gjeti dhe këtë rast. Objektivi i tij për të mposhtur Shqipërinë politike dhe për të zgjeruar tregun me Serbinë armike, është karikatura e vetme e të ashtuquajturit “nacionalizëm” kosovar, i cili në fakt është fiks ajo që i duhet Serbisë në Kosovë.

Madje dhe metodat që po përdor janë tërësisht të huazuara nga Serbia dhe nacionalizimi serb. Po i përdor tifozët “Kuq e Zi”, si tifozat e Cervena Zvedës që “kërcënojnë” me dhunë nëse nuk bëhet siç duan ata. Kjo është gjëja më serbe që Albin Kurti po i ofron Shqipërisë këtë verë.

Albin Kurti e ka të gjithë me Edi Ramën dhe Shqipërinë. Përballja e tij me pushtetin, pafuqia e tij për të menaxhuar gënjeshtrat e veta patriotike dhe mbi të gjitha karakteri i tij frikacak për tu përballur me agjendën ndërkombëtar të bisedimeve me Serbinë, e kanë kthyer atë në një skuth të stërkëmbshave ndërshqiptare, për të krijuar probleme të tjera, e për të mos u marrë me ato për të cilat është votuar.

Bregoviç nuk e pengon Albin Kurtin të realizojë ato që ka premtuar në Kosovë, as mirqënien përrallore për shqiptarët, as luftën ndaj nepotizmit dhe farefisnive në pushtet dhe në dashtë, as reciprocitetin me Serbinë. Ai thjeshtë i duhet për të mos bërë asgjë nga ato që ka thënë. Bregoviç nuk ka frymëzuar masakra, as me motivet e tij cigane, as me thirrje direkte. Bashkëpunimi i tij me Kusturicën si kineast nuk e bën atë automatikisht një luftënxitës, ashtu siç nuk bën automatikisht patriot Albin Kurtin, fakti që ka bashkëpunuar me Adem Demaçin.

Kategoria e dytë janë një racë këngëtarësh shqiptarë, të cilët nuk kanë lënë këngë serbe e greke pa vjedhur për t’u dukur kompozitorë e këngëtarë dhe sot befas duan të bien në sy si patriotë, për shkak të hijes ku mund tu bëjë një muzikant autentik i rajonit. Këta i kuptoj, si gjithë mediokrit që frustrohen nga talentet dhe “patriotizmi” i tyre nuk është se më shkakton më pak bezdi, se muzika e tyre. Kjo është njësoj sikur të thuash që Vaçe Zela duhet ndaluar se ka kënduar në kohën e Enver Hoxhës.