Për ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, “blerja e votës është krim”. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi, zonja Kim tha se përpjekja për të blerë vota është krim ndaj ata politikanë që tentojnë të blejnë vota ajo i cilëson kriminelë.

“Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel. Nëse përpiqeni të bleni një vote, jeni një kriminel. Për votuesit, duhet të vendosin. Do ta shes pushtetin që kam? Do ta shes dinjitetin? Do ta shes të ardhmen e fëmijëve? Mendoj se përgjigja duhet të jetë: Jo. ” – theksoi Kim.

Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, diplomatja amerikane ndau këtë mesazh për votuesit shqiptarë.

“Nëse dikush s’ka bërë asgjë për ty, përveç gjërave të tmerrshme, duke vjedhur nga publiku për 4 vjet apo sado gjatë dhe pastaj para zgjedhjeve vjen dhe paguan faturat e tua ose të jep një iPhone të përdorur, e dini, ju vleni më shumë se kaq. Shqipëria vlen më shumë se aq. Fëmijët e Shqipërisë vlejnë më shumë se aq prandaj ky një çast i vërtetë. Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht.” – tha Kim në Përballë.

“Reforma në drejtësi ka trembur kundërshtarët”

Për ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ecuria e reformës në drejtësi ka trembur kundërshtarët, por nuk po kënaq ata qe duan drejtësi të plotë.

“Mendoj se jemi në atë pikën e majës këtu, ndaj përmenda se është mjaft sa për të trembur kundërshtarët, por jo mjaft sa për të kënaqur ata që duan drejtësi të plotë. Nuk e di nëse mund ta identifikoj saktë… ”

Ambasadorja thekson se ka hapësirë për kritika, por pretendimi se reforma është ndërtuar për korrupsion është çmenduri.

“Për çdo reformë madhore, është me rëndësi të shqyrtohet seriozisht përparimi që ndodh dhe të bëhen korrigjime rrugës. Të këmbëngulësh se diçka është e përsosur dhe nuk mund të preket nuk është pozicion fort i mirë, nuk është i arsyeshëm. Pra ka hapësirë për kritika; shpesh mendoj për mënyrat për ta përmirësuar reformën në drejtësi, por mendoj se ka një dallim midis kësaj dhe të pretenduarit se reforma në drejtësi është e kundërta ose të pretendosh sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të shpresosh se njerëzit do të humbin shpresën apo të pretendosh se reforma në drejtësi është ndërtuar për korrupsion. Sinqerisht, është çmenduri dhe mendoj shumica e njerëzve e kuptojnë këtë.” – tha Kim.

Sipas diplomates amerikane shqiptarët dinë ta dallojnë se kush është pro dhe kush është kundër reformës.

“Mendoj që e shfaqin veten me fjalët dhe veprimet e tyre dhe mendoj që populli shqiptar është i mençur – janë të mençur – dhe ata e dallojnë se kush është pro dhe kush është kundër reformës në drejtësi.” – u shpreh Kim në “Përballë”.