Një grup nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit kanë shkuar për ditën e dytë në selinë e PD për të tentuar për të hyrë brenda saj.

Pas kësaj tentative të dështuar për të hyrë në ambientet e brendshme të PD, Aldo Bumçi në emër të Komisionit të Rithemelimit ka mbajtur një deklaratë për mediat.

“Kemi ardhur këtu, me drejtuesit e tre degëve të Tiranës. Sot kishim caktuar një mbledhje pune, vend tjetër për të bërë këtë mbledhje nuk ka. Tashmë selia është kthyer në një bunker. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo situatë. Për herë të parë në 30 vite partia e Lulzim Bashës është kthyer në bunker, i ka mbyllur dyert. Të më gjej dikush një të mirë për këtë gjë, që opozita të kthehet në bunker. Kjo i shërben vetëm Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është kriminale, projekt për të zhdukur opozitën. Por opozita është gjallë, është ajo që mbushi Air Albanian, ajo që shkarkoi Bashën me 45 mijë firma. Por ditën e shtunë do ta çlirojmë këtë godinë”, u shpreh Bumçi.

Një ditë më parë në selinë e PD shkoi Flamur Noka dhe disa deputetë të tjerë, të cilët i gjetën të mbyllura të gjitha dyert.

Ndryshe nga dje, këtë herë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po ndiqte gjithçka nga kafeneja, ku ishte ulur me disa gazetarë.