Kryesocialisti Edi Rama mblodhi asamblenë kombëtare të partisë për të njoftuar këtë të enjte përbërjen e qeverisë së re, që pritet të marrë detyrën pas mandatimit në Kuvend dhe betimit te Presidenti Ilir Meta.

Rama e nisi fjalimin e tij me listën e përbërjes së kabinetit të ri gati, por para se të njoftonte këtë listë, përçoi mesazhin te socialistët se sa të vështirë e kishte vendimmarrjen këtë herë.

“Nuk kam qenë asnjëherë më i trazuar se fitorja e kësaj here, jo se në fitoret e tjera ka qenë më e lehtë”, tha ai.

Kryeministri tha se duhet të nisë puna menjëherë në Qeveri dhe parti për të siguruar fitoren e mandatit të katërt. Si arrihet kjo?

“Na duhet një forcë e re, energji e re. Duhet të përmirësohemi dhe të korrigjohemi aty ku kemi vënë re kritika. PS duhet të bëhet komunitet njerëzish që jeton me aspiratën e madhe për t’i sjellë Shqipërisë drejtësi dhe mirëqënie dhe çdo ditë më pak një ngrehinë me mijëra dyer organizatash ku hyhet për të gjetur një punë në shtet. 5500 dyert e organizatave tona në bazë, duhet të shndërrohen për të kultivuar qytetarinë politike, mendimin, kritikën dhe aktivizimin”, tha ai.

Në drejtim të këtij misioni, Rama paralajmëroi se nuk do të pranojë më justifikime.

“Jo nuk është kollaj të gjesh njerëz të rinj, jo po të mos prishim ekuilibrat se po vijnë zgjedhjet, jo po nuk afrohen njerëzit po nuk u dhe punë shteti, jo po kur nuk ka punë kryetari i organizatës nuk i shkon njeri prapa, jo po rinia është indiferente, jo po statuti, jo po udhëzimi, jo po duam mbështetje nga lart, të mos hapim sherre nga poshtë, ç’deshi ai te zona ime. ai pi kafe te lokali i pd, jo po ajo ja i kishte lënë lokalin LSI-së”, deklaroi ai.

Partia Socialiste, vijoi Rama, nuk mund të zgjohet vetëm kur vijnë zgjedhjet dhe as mbahet gjallë si moçal interesash.