10 admiralë të dalë në pension në Turqi janë arrestuar nga policia pas publikimit të një letre të shkruar nga 103 admiralë që nuk janë aktivë, të cilët paralajmëronin për një traktat që ka të bëjë me rrugët detare të Turqisë.

Prokuroria kërkoi gjithashtu që 4 persona të tjerë të dyshuar të paraqiten në Policinë e Ankarasë brenda 3 ditësh, duke mos vendosur që t’i mbajnë në qeli për shkak të moshës së tyre.

Letra e 100 admiralëve u dënua nga qeveria turke, e cila tha se ky veprim i kujton “kohën e grushtit të shtetit në të kaluarën”.

Një projekt i Presidentit Erdogan ka ngjallur diskutime në vend. Muajin e kaluar, Ankaraja zyrtare miratoi planin për të zhvilluar kanalin e Stambollit, të ngjashëm me kanalin e Suezit apo me kanalin e Panamasë.

Ky projekt ka hapur debate rreth Konventës së Montreux të vitit 1936, e cila garanton kalimin e lirë të anijeve në ngushticat e Bosforit dhe të Dardaneleve në kohë paqeje dhe lufte.

Deklarta e admiralëve në pension shkaktoi një stuhi

Admiralët kritikuan propozimin që Turqia të tërhiqej nga kjo marrëveshje.

Nënpresidenti turk Fuat Oktay e krahasoi deklaratën e admiralëve me “fishkëllimën e një frikacaku të frikësuar në varreza”, ndërsa nënkryetari i partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Numan Kurtulus, i quajti nënshkruesit “dashamirë të Turqisë së vjetër, të cilët e shohin veten mbi vullnetin e kombit “.

“Fakti që ka një debat të hapur mbi tërheqjen nga marrëveshja e Montreux, si pjesë e bisedimeve mbi ndërtimin e Kanalit të Stambollit (i cili duhet të kapërcejë trafikun përmes Bosforit dhe Dardaneleve), është takuar me shqetësim. Ne besojmë se është e nevojshme të përmbahemi nga bisedimet për tërheqjen nga marrëveshja në Montreux, sepse ky akt është një vend i rëndësishëm në mbajtjen e Turqisë”, thanë admiralët turq në pension.

Ibrahim Kalin, zëdhënës i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, tha se deklarata nga admiralët në pension evokoi një periudhë “grushtesh ushtarake” dhe i bëri ata të dukeshin “qesharakë dhe patetikë”.

Një reagim nga Ministria Turke e Mbrojtjes thotë se forcat e armatosura nuk mund të përdoren “si një mjet për lakminë, ambicien dhe qëllimet personale të atyre që nuk kanë detyra ose përgjegjësi”.