Që kur Joe Biden u shpall fitues i zgjedhjeve në SHBA, mesazhet nga udhëheqësit botërorë nuk kanë ndalur. Por cilat ishin urimet dhe reagimet e tyre të para? Tre shtetet e vetme që nuk kanë reaguar janë Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut.

Boris Johnson tha se SHBA “është aleati ynë më i rëndësishëm dhe unë pres që të punojmë ngushtë së bashku në përparësitë tona të përbashkëta, nga ndryshimi i klimës tek tregtia dhe siguria“.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se mirëpret “bashkëpunimin në të ardhmen” mes dy vendeve, duke shtuar, “Miqësia jonë transatlantike është e pazëvendësueshme, nëse synon t’u përgjigjesh sfidave më të mëdha të kohës”.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe Presidenti francez Emmanuel Macron po ashtu përcollën përgëzime. “Kemi shumë sfida për të kapërcyer. Të punojmë së bashku”, tha Macron

Narendra Modi (Indi) e quajti atë një “fitore spektakolare” dhe uroi Kamala Harris, nëna e së cilës është indiane. “Suksesi juaj është çështje e një krenarie të jashtëzakonshme edhe për të gjithë indiano-amerikanët”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu uroi Biden pa harruar të falënderoi edhe presidentin Trump për bashkëpunimin 4-vjeçar.

“Joe, ne kemi patur një marrëdhënie personale të gjatë dhe të ngrohtë për gati 40 vjet dhe unë ju njoh si një mik të madh të Izraelit”, shkroi Netanyahu në Twitter. “Unë pres të punoj me të dy ju për të forcuar më tej aleancën e veçantë midis SHBA-së dhe Izraelit”, shtoi ai.

Kryeministri izraelit u sigurua të postonte edhe një tjetër “tweet”, duke e falënderuar Donald Trump-in për miqësinë e treguar ndaj shtetit të Izraelit dhe atij personalisht, për njohjen e Jeruzalemit dhe Golanit, për qëndresën përballë Iranit, për marrëveshjet historike të paqes dhe për të çuarit e aleancës amerikano-izraelite në lartësi të papara.

Justin Trudeau (Kanada) tha: “Kanadaja dhe Uashingtoni gëzojnë një marrëdhënie të jashtëzakonshme, unike në skenën botërore. Ne ndajmë kufij gjeografikë, interesa të përbashkëta dhe lidhje të afërta personale, si dhe shkëmbime tregtare që na bëjnë miq, partnerë dhe aleatë. Mirëpres bashkëpunimin me presidentin e zgjedhur Joe Biden, nënpresidenten e zgjedhur Harris, administratën e tyre dhe Kongresin amerikan, në përballjen bashkarisht me sfidat më të mëdha globale”.

Fuat Oktay (nënpresidenti i Turqisë) kishte një mesazh të ftohtë: “Asgjë nuk do të ndryshojë për Turqinë”.

Nicolás Maduro (Venezuela) tha se vendi i tij “do të jetë gjithmonë i gatshëm për dialog dhe mirëkuptim me njerëzit dhe qeverinë e SHBA“.

Ali Khamenei (Iran) tha se zgjedhjet ishin “një spektakël”, duke shtuar “Ky është një shembull i fytyrës së shëmtuar të demokracisë liberale në SHBA“.

Disa nga përkrahësit e presidentit Trump shprehën irritim nga reagimi i udhëheqësve botërorë.

“Këto komente të parakohshme me urime për zotin Biden nga udhëheqës botërorë janë ndërhyrje të qëllimshme në zgjedhje”, komentoi në Twitter Kyle Shideler, analist në Qendrën për Politika Sigurie, një organizatë pro-Trump me seli në Uashington. “Është mëse e papërshtatshme që këta udhëheqës të komentojnë në këto momente”, tha ai.