Sipas zbulimeve të një grupi investigativ të mediave gjermane dhe atyre ndërkombëtare, shërbimet sekrete ruse po planifikojnë sulme kibernetike në të gjithë botën ndaj infrastrukturës civile.

Shërbimet sekrete ruse planifikojnë fushata disinformuese dhe sulme ndaj infrastrukturës civile me ndihmën e një kompanie teknologjike në Moskë, “NTC Vulkan”. Informacionet u dorëzuan nga një ish-punonjës.

Pas zbulimeve, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser kërkon më shumë kompetenca të Zyrës Federale të Kriminalistikës, BKA. E pyetur për të ashquajturat “hackbaks” politikisht të kontestuara, Faeser tha.

“Nuk bëhet fjalë për kundërsulme. Por ne duhet të kemi kompetencat për të identifikuar sulmet dhe t’i ndalim ato. Këto kompetenca na duhen dhe unë i shoh këto kompetenca të vendosura më së miri tek Zyra Federale e Kriminalistikës”, tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.

Prej vitesh Ukraina dhe vende të tjera janë objekt sulmesh kibernetike. Zyrtarisht Kremlini e mohon këtë. Por mijëra faqe dokumente sekrete janë bërë para pak ditësh publike, nga ku bëhet e qartë, se si një kompani teknlogjike ruse po zhvillon armë digjitale për ushtrinë e Vladimir Putinit dhe shërbimet sekrete.

Dokumentet sekrete të bëra publike nën emrin “Vulkan files” janë bërë të njohura nga një person “whistleblower” që mbetet sekret. Një grup mediash gjermane si “ZDF Frontal”, “Spiegel”, “Süddeutsche Zeitung” dhe disa media ndërkombëtare kanë bërë vlerësimin e dokumenteve. Ato tregojnë, se Rusia planifikon të godasë me sulme kibernetike rrjetin.