Dy truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Hekuran Marku dhe Paul Deda, janë arrestuar pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar prej disa javësh.

Marku është arrestuar në Gjermani, ndërsa Deda në Francë. Deda, i cili njihet edhe me emrin Agustin, nuk është lënë në burg, por i është hequr e drejta për t’u larguar nga Franca. Ai mësohet se ka kërkuar azil dhe është në pritje të shqyrtimit të kërkesës. Nga ana tjetër, edhe Prokuroria e Posaçme ka dërguar gjithashtu dokumentacionin e nevojshëm për të bërë të mundur ekstradimin e tyre në Shqipëri.

Marku dhe Dada ishin pjesë e personave të proceduar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Shpirti”, kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave. Mes 28 urdhër-arresteve përfunduan në pranga prokurorë, zyrtarë të pushtetit lokal dhe drejtues të policisë shqiptare.

Sipas akuzës, shefi i Trafiqeve të Antidrogës në Policinë e Shtetit, Ilirjan Balla, është i përfshirë drejtpërdrejt në trafikun e drogës, ndërsa u ndalua edhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota.