Një person ka qëlluar me armë në drejtim të administratorit të një shkolle private “Wilson” në Tiranë. Policia thotë se ngjarja e rëndë, ka ndodhur këtë të martë në zonën e Liqenit të Thatë, në rrugën për tek pedonalja e liqenit.

Sipas policisë dyshohet se një person i paidentifikuar, i cili është larguar në këmbë, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, në drejtim të mjetit tip Mercedes-Benz me drejtues shtetasin Lulëzim Masha, 63 vjeç, i cili udhëtonte i vetëm.

Si pasojë e të shtënave, nuk ka persona të lënduar.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës me qëllim kapjen e autorit.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe është duke sekuestruar çdo provë të mundshme materiale që do të shërbejë për identifikimin e autorit të ngjarjes.