Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, doli në një deklaratë për mediat, këtë të mërkurë, për të folur mbi aferën e inceneratorëve, siç e quan ai, një ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

“Ditën e djeshme, SPAK ka arrestuar Lefter Kokën dhe disa bashkëpunëtorë në aferën e inceneratorëve. Sot dua t’iu drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë me 4 mesazhe të qarta, të cilët i kemi komunikuar gjatë këtyre kohëve.

Për PD-në, lufta kundër korrupsionit, njësoj si dekriminalizimi i politikës, është jetike për Shqipërinë, për shtetin ligjor, por mbi të gjitha për mirëqenien shqiptare. Ekonomia është problemi numër 1 në vend. Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur. Jemi dëshmitarë që inceneratorët kanë qenë sponsor kryesor për të hequr çdo lajm, madje edhe për të hequr gazetarë nga puna. Nuk kanë arritur të na mbyllin gojën ne. Në këtë sallë kemi denoncuar për 3 javë këtë aferë. Me thirrje dhe hapa ligjorë iu drejtuam SPAK-ut. Për PD-në dhe për mua si kryetar, misioni numër 1 është lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Kur SHBA-ja shpallin luftën kundër korrupsionit prioritet kombëtar. Përshëndes dhe mbështes drejtësinë në luftën ndaj korrupsionit. PD-ja e mbështet pa kushte drejtësinë. Përshëndes ata prokurorë dhe hetues që kanë filluar të godasin korrupsionin në nivelin më të lartë”, u shpreh Basha.

“Edhe ish-qeverisja e PD ka pasur korrupsion, të vendosur ta luftojmë”

Basha tha se edhe ish-qeverisja e PD ka pasur korrupsion dhe se partia e tij është e vendosur që ta luftojë edhe atë.

“Edhe ish-qeverisja e PD ka pasur pjesën e saj në këtë plagë të madhe për gjithë shoqërinë! Por, ne jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga e kaluara jonë e keqe dhe të zgjedhim të ardhmen që vetëm ne mund ta sjellim për shqiptarët”, tha më tej Basha.

Basha u shpreh se PD-ja mbështet drejtësinë në të gjitha veprimet e saj kundër korrupsionit. “Unë dhe PD-ja përshëndesim të gjithë ata prokurorë dhe hetues të sistemit të ri të drejtësisë që kanë filluar të godasin korrupsionin në nivelet më të larta me gjithë presionin e madh të përditshëm! Ashtu siç kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë me denoncimet për korrupsionin galopant të qeverisë Rama, qeveria më e korruptuar në Europë, sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare, ashtu ne do të përkrahim dhe përshëndesim me forcë të gjitha goditjet që drejtësia bën kundër armikut të mirëqenies së shqiptarëve”, tha Basha.