Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bashkëbiseduar me gra të Burrelit për problemet që përballen sot në qytetin e tyre. Basha tha se emigracioni, kryefjala e ngritur nga bashkëbisedueset, shkakton plagë të madhe një herë tek nënat dhe gratë, pastaj për Shqipërinë. Për këtë ai shpjegoi planin e Partisë Demokratike që parashikon përmirësimin e kushteve gratë dhe për rininë në veçanti. Trajnimet profesionale, paga të barabarta me burrat janë vetëm disa nga pikat që synojnë të kthejnë dinjitetin e munguar të gruas shqiptare sipas kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Duke e konsideruar familjen si gurëthemeli i Partisë Demokratike, Basha përsëriti planin e mbështetjes për familjet e reja dhe studentët. Sipas tij, programi parashikon për 5 mijë çifte të reja çdo vit do të kenë mundësinë të blejnë një banesë dhe shteti do të subvencionojë 100% interesat e kredisë. Bonusin prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët nga momenti i lindjes deri në momentin që arrijnë 5 vjeç, tekste shkollore falas, zgjatja e orarit të mësimit me vakte të paguara nga shteti dhe financimi 100% i bursave për studentët që vijnë nga familje me të ardhura deri 640 mijë lekë të vjetra në muaj, janë vetëm disa nga vendimet e para sipas Bashës nëse vjen në qeveri.

Sfidon Ramën

Më tej, Basha sfidoi sërish kryeministrin Edi Rama për një përballje në debat përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Kryedemokrati tha se Rama ka frikë që të përballet dhe e qep gojën kur vjen puna te debati.

Për drejtuesin e opozitës, Edi Rama përpara se të kërkojë një mandat të tretë duhet të tregojë se çfarë bëri 8 vite në pushtet.

“Shmang edhe debatin, që ju e dini, këtu në Mat keni disa fjalë të urta për trimërinë e burrave. Zgjuarsinë pas Kuvendit dhe trimërinë pas lufte. Trim në ekran duke sharë dhe përbaltur këdo, sigurisht preferencë ka opozitën, por nuk ja kursen akujt që i del përpara, por kur e ftoj në debat e qep gojën, ka frikë nga debati. Unë nuk e ftoj për veten time se nuk më merr malli të bëj debat me të, por në një vend demokratik është detyrim ndaj qytetarëve debati, e ke detyrim të thuash çfarë bëre 8 vite me pushtetin, ashtu sikur unë e kam detyrim të them çfarë kam në plan për qeverisjen”, tha Basha.