Kryedemokrati Lulzim Basha ka pritur në zyrë dy ish-funksionarë të Partisë Socialiste në Durrës, Serian Mazreku, administrator të njësisë administrative Kënetë dhe Ardit Kërtusha, drejtor i planifikimit strategjik në bashkinë e Tiranës, të cilët kanë braktisur ish-partinë e tyre për t’u bërë pjesë e demokratëve para zgjedhjeve të 25 prillit.

“Kjo nuk është një lëvizje spontane, por një lëvizje e mirëmenduar. Ne presim të mos gjykohemi nga skutat e lëpirjes që ka sot në PS-në e Durrësit, por presim që të gjykohemi nga brezat e ardhshëm sepse kjo është një lëvizje për të mirën e vendit dhe të PS. Të heqim një drejtues që nuk mund të drejtojë më PS-në, e jo më Shqipërinë”, tha Mazreku.

“Durrësi ka nevojë për ndryshim. Më vjen mirë kur dëgjoj dhe takoj socialistë që duan të jenë pjesë e ndryshimit, të cilët e kuptojnë që pas 8 viteve premtimesh të pambajtura është e rrezikuar Shqipëria dhe PS”, tha Basha.