Në një intervistë për Vizion Plus, Lulzim Basha, hedh akuza jo vetëm ndaj Sali Berishës, por edhe ndaj Ilir Metës. Ndërsa për Sali Berishën thotë që i ka mbaruar koha, për Metën thotë se demokratët nuk i kanë asnjë borxh Ilir Metës, dhe se nuk ia zgjidhin dot hallet Ilir Metës.

Doja të kthehesha pas, më 9 shtator, kur ju vendosët pezullimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD. Asokohe, ju deklaruat se rrugëtimi i Berishës në politikë nuk ndahet nga rrugëtimi i PD dhe sukseseve të saj, me qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik. Sot, ju po flisni për përjashtimin e Sali Berishës. Çfarë ndryshoi në këto dy muaj e gjysmë?

Lulzim Basha: Unë nuk flas për përjashtimin e Sali Berishës, unë flas për zbatimin e statutit ndaj çdokujt, qoftë ky dhe Berisha. Këto dy muaj kohë, Berisha nuk i shfrytëzoi për të bërë të vetmin akt që prisnin dhe meritonin demokratët, e që ai e premtoi në verë: që mos ta përfshinte PD-në dhe grupin parlamentar, që ka një detyrë shumë të rëndësishme përballë shqiptarëve – përballjen me regjimin e kryeministrit Edi Rama. Përkundrazi, iu mbivendos kësaj detyre parësore të PD. Në vend që t’i përdorte këto dy muaj për atë që priste çdo demokrat, ashtu siç e premtoi, një distancim nga PD për ta vazhduar betejën e tij, të cilën ka vendosur ta ndjekë në mënyrë ligjore. Përkundrazi, e përdori këtë kohë për të shpalosur anët e tij më të errëta. Siç kemi parë gjatë javëve të fundit, me kulturën e lincimit dhe sulmeve më të turpshme, më të ulëta, përfshirë ndaj drejtueseve gra demokrate që nuk mendojnë si ai. Me një gjuhë të poshtër, denigruese, e cila, madje mund të them që në disa aspekte ia kalon edhe sulmeve që Rama bën ndaj të njëjtëve persona. Gjithçka ka ndryshuar që nga 9 shtatori. Rruga që Berisha ka zgjedhur nuk ka asnjë lidhje me vlerat dhe parimet për të cilat qëndron kjo parti. Ka zgjedhur të bëjë gjithçka për ta përdorur PD-në si mish për top për hallet e veta. Këtë nuk mund t’ia lejojë dhe t’ia falë asnjë demokrat i ndershëm.

Ndani ju të njëjtin qëndrim me qeverinë e SHBA se Berisha është i korruptuar dhe minues i demokracisë?

Lulzim Basha: Unë nuk e kam komentuar dhe nuk e komentoj vendimin e qeverisë amerikane. Përpjekja për të tërhequr njerëz që kanë sakrifikuar për këtë parti në një betejë me SHBA-në, është kriminale. Është një betejë që çon në asgjësimin e PD si e vetmja shpresë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje.

Por, a është Berisha një politikan i korruptuar?

Lulzim Basha: Sali Berisha ka demonstruar dy muaj e fundit se është një politikan që i ka mbaruar koha, është jashtë kohe nga mënyra se si është sjellë.

Në 17 korrik, në Kuvendin e Partisë Demokratike, kishte një agjendë, platforma qytetare. Në 18 dhjetor është sërish platforma qytetare. Po bëni një Kuvend për përjashtimin vetëm të Sali Berishës?

Lulzim Basha: Nuk ka Kuvend përjashtimi, ka Kuvend bashkimi. Çdokush e përcakton raportin me demokratët në bazë të qëndrimit që mban me interesat elektorale dhe politike të Partisë Demokratike në raport me statutin e PD. Nuk është kjo një hordhi dumbabistësh, ku secili bën çfarë t’i thotë mendja. Statuti është i qartë. Ka një Kuvend, një PD, e cila do të marrë vendimet jo për hallet personale të askujt, por për hallet e shqiptarëve. Në raport me platformën qytetare për demokracinë, do t’i japë formë, substancë një lëvizjeje popullore, e cila ngërthen interesat e shumicës. Sot, në Shqipëri kemi një pakicë të vogël pushtetarësh, oligarkësh, faktorësh të krimit të organizuar, që mban të gjithë Shqipërinë në duart e saj, duke u pasuruar përballë një shumice, e cila po varfërohet dita-ditës. Janë hallet e shqiptarëve, problemet dhe axhenda jonë.

Çfarë do të bëni më 11 dhjetor? A do të shkoni në Kuvendin e thirrur nga delegatët?

Lulzim Basha: Nuk ka Kuvend të thirrur nga delegatët, sepse po të kishte, do të isha unë i pari që do të garantoja që vullenti i delegatëve të respektohej. Kjo u pamundësua në mënyrën sesi Berisha vendosi në çastin e fundit të bënte bllofin me atë që e quajti ‘një proces për zbatimin e statutit dhe demokracinë e brendshme’. Kjo provon para të gjithëve se nuk ka asnjë interes tjetër, përveç ta mbajë PD-në në vendnumëro, madje ta sabotojë në përballje me regjimin, me të vetmin qëllim për ta përdorur si mburojë kundër SHBA.

Por të paktën, një pjesë e demokratëve do të shkojë më 11 dhjetor. A jeni ju përgjegjës për përçarjen ndoshta më të madhe të PD në tre dekada.

Lulzim Basha: Demokratët, të cilëve iu dhimbset PD dhe sakrifica e demokratëve e kanë të qartë se përballja është jo thjesht midis të shkuarës dhe të nesërmes, ku qëndron investimi i tyre 30-vjeçar, por përballja me një regjim, ku nga njëra anë kemi një Parti Demokratike me forume legjitime, të votëbesuara, dhe një individ, i cili, me veprimet e tij po dëmton interesat e demokratëve, dhe është rikthyer në një tub oksigjeni për regjimin. Regjimi ia njeh këtë meritë. I ka vënë në shërbim të njëjtët njerëz që ia turri demokratëve në 25 prill, njerëz të krimit të organizuar.

Si i jepet fund kësaj përpjekjeje? Do të shkoni ju të votëbesoheni? Si do t’iu tregoni demokratëve që ju gëzoni mbështetjen e shumicës?

Lulzim Basha: Më 9 shtator, përveç marrjes së një vendimi nga kreu i PD, vendim që i takonte Berishës, vendim që e premtoi dhe nuk e bëri. Më 18 dhjetor, e vetmja gjë që do të ndryshojë është se Kuvendi i demokratëve do ta tregojë qartë që kjo parti nuk mbahet peng i interesave personale të askujt, por do të mbetet një aset në duart e shqiptarëve.

Ditën që ju shpallët “trekëndëshin e Bermudës”, ju shpallët një front beteje me Ilir Metën. Pse e sulmuat ju Ilir Metën?

Lulzim Basha: As unë, as demokratët nuk i kemi asnjë borxh Ilir Metës, dhe nuk ia zgjidhim dot hallet Ilir Metës. Demokratët ia njohin bëmat dhe gjëmat. E vetmja gjë që kam për të shtuar, t’iu kërkoj ndjesë të thellë demokratëve, edhe në emër të strukturave drejtuese, që nuk e kemi dëgjuar më mirë dhe më qartë zërin e tyre.

E keni kërkuar dhe në 2017-ën, kur thatë nuk do të ketë koalicion me LSI-në. Këtë herë nuk do të ketë më koalicion me LSI-në, realisht?

Lulzim Basha: Nuk kam asgjë tjetër për t’i shtuar kësaj çështje, besoj se është shteruese dhe nuk kam ndërmend t’i jap askujt vëmendjen që nuk meriton, secilit i kam dhënë atë që meriton.